Ndërlidhjet

Kurti: Vendosja e pandemisë nën kontroll, sfida kryesore


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Pro përbërjes së kabinetit të ri qeveritar votuan 67 deputetë ndërsa 30 ishin kundër.

Para votimit, në ekspozenë e tij para deputetëve, Kurti tha se në këtë seancë do të jetësohet “vullneti i qytetarëve” që votuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat ai i cilësoi si referendum.

Ai tha se “pandemia mbetet sfida kryesore”, duke shtuar se menjëherë do të ketë një plan për ta luftuar atë.

“Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë", tha Kurti.

"Drejtësia, shëndetësia, arsimi dhe ekonomia kanë nevojë për reformë e cila duhet të fillojë shpejt”, shtoi ai.

Në pjesën e politikës së jashtme të vendit, Kurti tha se “aleanca me Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet”.

“Do të punojmë parreshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfiduese, por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”, tha Kurti.

Politikat e fqinjësisë, sipas Kurtit, do të avancohen mbi bazën e reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë. Ai tha se Kosova do të ngrisë padi për krim dhe gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, ai potencoi se ka çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut.

“Me Serbinë kemi çështje të hapura të cilat duhet të zgjidhen përmes dialogut. Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur”, tha ai duke shtuar se “pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve”.

Kurti prezantoi kabinetin qeverisës të përbërë nga 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga grat.

Kabineti i Kurtit

  • Zëvendëskryeministër i parë, për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
  • Zëvendëskryeministre e dytë, dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
  • Zëvendëskryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi
  • Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
  • Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
  • Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
  • Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
  • Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
  • Ministër i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
  • Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
  • Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci
  • Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
  • Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
  • Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
  • Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
  • Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
  • Ministër i për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka

Partitë opozitare kritikuan rezymenë e Kurtit. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se do të jenë kritik për qeverinë, por edhe do të korrigjojnë gabimet e ekzekutivit.

“Si opozitë synojmë të kontribuojmë në këtë stabilitet, jo duke qenë të nënshtruar, jo duke prodhuar dhe krijuar numra për qeverinë në shumicë, por duke respektuar vullnetin e qytetarëve, siç e kemi respektuar për ju edhe për vete. Ju në pushtet, e ne zë, korrigjues dhe kritik i secilit veprim tuaj”, tha Abdixhiku.

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka cilësuar rezymenë e Kurtit si një listë dëshirash.

Ai theksoi se në fjalimin e Kurtit nuk u shpjeguan planet konkrete se kur mund të sigurohen vaksinat kundër COVID-19, kush do t’i sjellë ato dhe si do të bëhet vaksinimi i popullatës.

Hoxhaj shtoi se në rezymenë e Kurtit nuk u dëgjua të flitet për një politikë të fortë ekonomike, politikat për zhvillimin e arsimit dhe as për një politikë të jashtme të vendit, si orientim strategjik.

Ndërsa, Besnik Tahiri, cili pritet të jetë Shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se AAK-ja, nuk ka asgjë kundër Albin Kurtit si kryeministër, por siç tha ai " AAK-ja është kundër secilës logjikë arbitrare që po përfaqësohet".

"Logjika Kurtit ka qenë gjithmonë kritika, kurrë nuk ka qenë alternativa. Gjithmonë e ka adresuar vetëm të zezën", tha ai

Mbajtja e seancës vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 22 mars, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG