Ushtruesja e deritashme e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi këtë detyrë kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Osmani ka qenë duke ushtruar këtë detyrë qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur presidenti i deriatëhershëm, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.
Në bazë të Kushtetutës, detyra i ka kaluar Osmanit, si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Me konstituimin e Kuvendit të ri dhe zgjedhjen e kryetarit Konnjufca, Osmani i ka dorëzuar mandatin atij.
“Pasi që e ka uruar për detyrën, Osmani e ka njoftuar Konjufcën për punët që janë bërë nga Presidenca nga nëntori i vitit të kaluar e deri tash. Ajo gjithashtu e ka njoftuar Konjufcën edhe për punët që janë në proces, duke i ofruar mbështetje në punën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media nga Zyra e Presidentit të Kosovës.