Ndërlidhjet

Borrell raporton për dialogun Kosovë-Serbi


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të flasë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për çështje të tjera të lidhura me Ballkanin Perëndimor.

Sipas paralajmërimeve të BE-së, Borrell pritet t’iu raportojë ministrave edhe për vizitat që ka zhvilluar së voni në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Javën e kaluar, edhe vetë Lajçak ka folur para ambasadorëve të vendeve anëtare për këto vizita.

Ai ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut, si dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian pret që dialogu të vazhdojë menjëherë pas krijimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe të institucioneve të tjera, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Qëllim i dialogut, sipas BE-së, vazhdon të jetë arritja e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit të sotëm të ministrave të BE-së do të diskutohet edhe për Bosnje e Hercegovinën.

Pesë shtete të BE-së kanë paraqitur një dokument, përmes të cilit kërkojnë një angazhim më të madh të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe ndihmë për këtë shtet për të forcuar funksionalitetin dhe për të përmbushur kushtet për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian është i fokusuar më së shumti në masat kundër pandemisë së koronavirusit, por në këtë kohë disa shtete kanë kërkuar që nga fokusi të mos hiqet as rajoni i Ballkanit Perëndimor, as procesi i zgjerimit, e as bashkëpunimi politik mes BE-së dhe shteteve të rajonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG