Ndërlidhjet

Armët ilegale që vrasin


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Rreth 250 mijë armë ilegale janë në posedim të qytetarëve të Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dhe ky numër po paraqet kërcënim serioz të sigurisë publike.

Në Kosovë, vetëm në vitin e kaluar nga armët pa leje, sipas Policisë së Kosovës, janë kryer 29 vrasje. Ndërkaq, po në të njëjtin vit, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1.135 armë zjarri dhe mbi 32.700 municione të kalibrave te ndryshëm.

Policia e Kosovës ka treguar se konfiskimi i armëve është bërë në nivel vendi, duke mos u përgjigjur në pyetjen nëse ata kanë hasur në shitjen e këtyre armëve në treg të zi.

“Veprime ligjore janë ndërmarrë nga organet e drejtësisë ndaj personave të dyshuar të përfshirë në veprime të kundërligjshme, përfshirë edhe posedim ilegal të armëve dhe municionit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Dënimet për armëmbajtje pa leje

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ky kod parasheh gjobë deri në 7.500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kosovës po i mungon politika ndëshkimore për veprat e armëmbajtjes pa leje.

“Dënimet me 200 apo 500 euro për armëmbajtje pa leje nuk kanë logjikë, duhet të ndryshohet politika ndëshkimore për armë. Për mendimin tim, nuk kemi asnjë arsye që një rast me armëmbajtje pa leje të dënohet me të holla, duhet të kalohet në dënime më të ashpra”, thotë Peci në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Vrasja e grave nga armët

Armëmbajtja pa leje po kërcënon edhe sigurinë e grave. Në vitin 2020, janë vrarë gjashtë gra nga burrat e tyre. Rasti i fundit ka ndodhur më 14 mars, 2021 kur është vrarë Sebahate Morina, 42-vjeçare, nga ish-burri i saj.

Manifestim i heshtur për vrasjen e Sebahate Morinës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se për vrasjet e tilla që po bëhen duhet të merren hapa urgjentë për largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve.

Sipas Islamit, duhet të bëhet përpjekje shtetërore që të legalizohen armët.

“Me këtë identifikohen armët në rast se kryhet ndonjë vepër penale, por edhe gjatë marrjes së lejes për posedim të armës kryhen kurset, aftësohen, dihet si të mirëmbahet arma dhe të ruhet në vende të sigurta për t’i ikur sekondës psiqike dhe të në fund aftësohet se arma nuk guxon të përdoret ashtu siç po përdoret tash në disa raste”, thotë ai.

Legalizimi i armëve

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë thonë se përmes fushatave kanë ndikuar që armët ilegale të legalizohen. Në periudhën e legalizimit nga 17 dhjetori 2018, deri 17 shtator 2019, janë paraqitur rreth 2.000 kërkesa për legalizim të armëve.

MBP-ja thotë se në periudha tjera të legalizimit presin të kenë më shumë kërkesa për legalizim.

Ligji për armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjetra. Armët ndahen në kategorinë A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj.

Që një person të posedojë armë, sipas ligjit, duhet të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës e shumë kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Kostoja për legalizim, rreth 300 euro

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurt të armës.

Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas MPB-së, varion nga 150 deri 250 euro për pistoletë, ndërsa 80 deri 150 euro varion çmimi i trajnimit për armët e gjata për gjueti.

Shpenzimet tjera për t’u pajisur me armë janë certifikata mjekësore, e cila sipas MPB-së, ka koston 50 euro sipas një udhëzimi administrative nga Ministria e Shëndetësisë dhe certifikatat tjera kanë kosto nga 5 euro.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në ‘Barometrin Kosovar të Sigurisë - Sfidat e sigurisë publike’, raport që është publikuar në vitin 2020, kishte theksuar se armëmbajtja pa leje paraqet një rrezik të lartë të sigurisë publike në Kosovë.

Të anketuarit në zonat urbane ishin shprehur më të shqetësuar për këtë dukuri sesa të anketuarit në zonat rurale.

Sipas këtij raporti, burrat kishin tendencë të ndihen më të kërcënuar se gratë nga armëmbajtja pa leje.

QKSS-ja i kishte rekomanduar institucioneve se duhen të zotohen në largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG