Kompanitë e transportit rrugor në Kosovë po protestojnë rrugëve të Prishtinës, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mossubvencionimin nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Autobusët po parakalojnë në disa rrugë të Prishtinës.
Shoqata e transportit rrugor të udhëtarëve nisi protestën e saj të mërkurën, duke ndërprerë shërbimet për qytetarët. Nga kjo shoqatë kanë paralajmëruar se do të vazhdojë protestën e tyre, deri në plotësimin e kërkesave.
Më 28 janar, Shoqata e transportit rrugor të udhëtarëve kishte arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës, ku thuhej se këto kompani do të subvencionoheshin për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive të shkaktuara nga pandemia. Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo shoqatë ka kërkuar ndihmë prej pesë milionë eurove, por Ministria e Financave ka thënë se nuk kanë buxhet për të përmbushur këtë kërkesë.
Më herët, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka thënë se ky sektor është mbështetur me pagesa prej 290 euro për punëtorë, pagesa 50 për qind të qirasë dhe pagesa e 170 eurove, nga pakot për ndihmë gjatë pandemisë që më herët ka miratuar ekzekutivi.