Ndërlidhjet

Abdixhiku: LDK-ja synon shmangien e zgjedhjeve të reja


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë një prononcimi për media. Foto nga arkivi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë një prononcimi për media. Foto nga arkivi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të enjten se, partia që ai drejton, synon të shmangë zgjedhjet e reja në Kosovë.

“LDK-ja synon t’i shmangë zgjedhjet. LDK-ja synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK-ja synon që këto institucione të jenë demokratike, por edhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Zgjedhjet e shpeshta ai i ka cilësuar të mërzitshme dhe të kushtueshme për Kosovën.

Lidhur me unitetin e deputetëve të LDK-së, sa i përket votimit për pozitën e presidentit në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se për këto çështje duhet diskutuar fillimisht me organet e partisë.

“Besoj që gjatë vikendit do t’i formojmë organet e partisë, siç është kryesia e partisë, dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet, në koordinim të plotë me grupin parlamentar të LDK-së”.

Sa i përket propozimit të ndonjë emri për pozitën e presidentit, nga ana e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se rëndësishme është që fillimisht të mbahet takimi i planifikuar për të premten në mes të tij dhe ushtrueses së detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Abdixhiku i ka bërë këto deklarata pas takimit të zhvilluar me zëvëndëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, i cili ka nisur po këtë ditë vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës.

Abdixhiku ka thënë se me Grubin kanë diskutuar marrëdhëniet mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut dhe ka ftuar diasporën që të ndihmojë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë brenda Maqedonisë së Veriut pritet të nisë më 1 prill.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Përqindja e popullatës shqiptare lidhet edhe me të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë, siç është ajo e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo pasi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut gjuha shqipe përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG