Zëvëndëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka paralajmëruar se më 31 mars vendi do të furnizohet me vaksina kundër COVID-19 nga Bashkimi Evropian. Ai nuk ka dhënë detaje se për cilat vaksina bëhet fjalë.
Abazoviq e bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi me Komisionarin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi në Bruksel.
Në fund të muajit janar, Sekretari i Shtetit i ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi, Borko Bajiq, njoftoi se 84.000 vaksina të AstraZeneca-s do t’i ndaheshin Malit të Zi përmes programit Covax.
Ai pati deklaruar se dorëzimi i 25 deri 35 për qind të vaksinave pritet të ndodhë në tremujorin e parë, dhe pjesa tjetër në tremujorin e dytë.
Në tetor, qeveria e mëparshme malazeze nënshkroi një marrëveshje përmes së cilës, Mali i Zi u bashkua me mekanizmin Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Marrëveshja parashikon blerjen e rreth 250.000 dozave të vaksinave, të cilat do të vaksinojnë rreth 20 për qind të popullsisë.
Më 17 mars Mali i Zi njoftoi se 18 persona humbën jetën si rezultat i sëmundjes COVID-19 dhe u regjistruan 553 raste të të infektuarve.