Ndërlidhjet

Hungaria dhe Polonia synojnë bllokimin e mekanizmit për buxhet


Flamujt e BE-së
Flamujt e BE-së

Polonia dhe Hungaria janë duke sfiduar një mekanizëm të ri në buxhetin e Bashkimit Evropian, që lidh pagesat, me situatën rreth zbatimit të ligjit, për çka të dyja shtetet janë kritikuar ashpër.

Mekanizmi i ri është krijuar në planin e shpenzimeve për periudhën 2021-27 dhe në paketën e rimëkëmbjes në vlerë të 750 miliardë eurove, e cila mëton të zvogëlojë pasojat e nxitura nga pandemia e koronavirusit në 27 vendet anëtare.

Ky kusht mundëson bllokimin e fondeve nëse ka shqetësime për shkelje standarde, sikurse dëmtimi i pavarësisë së gjyqësorit.

Masa është kundërshtuar nga Polonia dhe Hungaria, shtete që janë kritikuar nga blloku evropian për çështje të lidhura me sundim të ligjit.

Të dyja shtetet kanë bllokuar miratimin e buxhetit të BE-së dhe paketën e ndihmës për shkak të këtyre mospajtimeve.

Në një samit të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, liderët e BE-së kanë arritur një kompromis, që nënkupton se mekanizmi nuk do të zbatohet derisa Gjykata Evropiane e Drejtësisë të vendosë për ndonjë ankesë të mundshme.

Më 11 mars, Polonia ka njoftuar se ka dërguar ankesë në gjykatë për këtë çështje.

“Ne besojmë se zgjidhje të tilla nuk kanë bazë ligjore në traktate, ndërhyjnë në kompetencat e vendeve anëtare dhe shkelin ligjin e BE-së”, ka thënë zëdhënës qeveritar, Piotr Mueller në një deklaratë.

Në Budapest, Gergely Gulyas shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban, ka thënë se Hungaria do të nisë një rast të ngjashëm gjyqësor këtë javë.

“Ne jemi duke sfiduar rregullin mbi kushtëzimin para Gjykatës Evropiane të BE-së, bashkë me Poloninë”, ka thënë ministri i Drejtësisë Judit Vargan në Facebook.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG