Ndërlidhjet

Kina po kryen “gjenocid të vazhdueshëm” kundër ujgurëve etnikë


Një grua ujgure duke mbajtur fëmijën e saj në Provincën Ksinjiang.
Një grua ujgure duke mbajtur fëmijën e saj në Provincën Ksinjiang.

Qeveria kineze është duke kryer “gjenocid të vazhdueshëm” kundër ujgurëve etnikë, në kundërshtim me Konventën për Gjenocid të Kombeve të Bashkuara, është thënë raportin e Institutit Newlines për Strategji dhe Politika, me bazë në Uashington.

Në raportin e publikuar më 9 mars është bërë një analizë e pavarur për përgjegjësitë shtetërore të Kinës, duke gjetur se politikat e Pekinit ndaj popullsisë ujgure kanë shkelur “secilin akt” të Konventës për Gjenocid.

Kina është përballur tashmë me kritika për vendosje të 1 milion ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve të tjera etnike myslimane nëpër kampe të përqendrimit në provincën Ksinjiang.

Pekini, në anën tjetër, deklaron se këto kampe janë qendra trajnime, të nevojshme për të luftuar terrorizmin separatist dhe ekstremizmin.

Një nga vendimet e fundit të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka qenë ajo për shpallje të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit në Ksinjiang, të kryer nga ana e Kinës.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë më 9 mars se administrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden nuk ka parë ndonjë zhvillim që do të mund të ndryshonte qëndrimin amerikan.

Muajin e kaluar, Parlamenti kanadez e ka konsideruar po ashtu trajtimin që u bën Pekini ujgurëve si gjenocid, disa orë pasi Kina ka pretenduar se trajtimi që i bën këtij grupi minoritar është “shembull suksesi” për përparimin në fushën e të drejtave të njeriut.

Konventa për Gjenocid është miratuar pas tragjedive të Luftës së Dytë Botërore, dhe shumica e shteteve kanë nënshkruar atë, përfshirë Kinën.

Në të renditen një varg aktesh që konsiderohen gjenocid, mirëpo ai kryesisht përcaktohet si “synim për të shkatërruar, në tërësi apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Ndonëse shkelja e vetëm një pjese të konventës mund të konsiderohet gjenocid, në raportin e Newlines supozohet se autoritetet kineze “kanë shkelur secilin akt të ndaluar” nga definicioni.

Sipas raportit, aktet e gjenocidit përfshijnë, por nuk janë të kufizuara, në qëllimin për të vrarë, shkatërruar, internuar në masë, për të kufizuar dhe parandaluar lidhjet, transferimin e dhunshëm të fëmijëve dhe zhdukjen e identitetit ujgur.

“Gjenocidi i vazhdueshëm kundër ujgurëve është rezultat logjik i një serie veprimesh të njëpasnjëshme, që evoluojnë nga mbledhja e të dhënave biometrike të banorëve ujgurë, përcaktimi i kuadrove të Partisë Komuniste për të vëzhguar familjet ujgure, shkatërrimi i zonave kulturore dhe fetare të ujgurëve – gjuhën, literaturën dhe poezinë – në të cilat bazohet jeta dhe identiteti i ujgurëve – më pas kriminalizimi i praktikave fetare të ujgurëve, si dhe ndërtimi i kampeve të përqendrimit dhe ndalimit, abortet sistematike dhe sterilizimi i grave ujgure, zgjerimi i shkallës së dhunimit dhe abuzimit seksual dhe ndarja e fëmijëve ujgurë nga prindërit e zhdukur”, është përmendur në raport.

Në raport është thënë edhe se politika është orkestruar nga nivele të larta shtetërore dhe Partia Komuniste.

“Natyra e këtyre veprimeve të lidhura demonstron kontrollin e qartë, efektiv dhe të fuqishëm ndaj gjenocidit të vazhdueshëm”, është thënë në gjetje.

Teksa ka përpiluar raportin, Newlines ka mbledhur ekspertë nga fusha të ndryshme, përfshirë ata të së drejtës ndërkombëtare e deri tek ata për politikat etnike kineze që shqyrtojnë provat e disponueshme në lidhje me trajtimin e ujgurëve dhe aspektet ligjore të Konventës për Gjenocid.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG