Ndërlidhjet

Ndalohen dy persona nën dyshimet për manipulim të votave


Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi se të martën më 9 mars, ka ndaluar dy persona, me inicialet A.K dhe S.M, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “Dhënie apo marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.

"Prokurori i Shtetit gjatë ditës së sotme do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e lartcekur për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat si më lartë”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.

Në mediat lokale në Kosovë, ditë më parë u publikua një video-incizim, ku pretendohej për falsifikim të votave të kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre raportimeve.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Dorëheqja e Haradinaj-Stubllës erdhi një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Një nga apelet kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të Haradinaj-Stubllës.

PZAP-ja ka urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë për kandidatët e AAK-së. Ky proces, që është drejt përfundimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po mbikëqyret nga hetuesit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG