Ndërlidhjet

Shkup: Kërkohet më shumë efikasitet në rastet e dhunës ndaj grave


“Nëse nuk vepron, je pjesëmarrës”, shkruan në një nga mesazhet në protestën në Shkup në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Nëse nuk vepron, je pjesëmarrës”, shkruan në një nga mesazhet në protestën në Shkup në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, rrjeti i organizatave për të drejtat e grave protestuan para Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut me moton “Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon”, duke vënë theksin në dhunën ndaj grave, që është gjithnjë e më e pranishme në rrjetet sociale.

Nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Platforma për barazi gjinore”, thanë se marshi i së hënës, paraqet një mbështetje për të gjitha viktimat e “Dhomës publike 2” (Javna Soba) në platformën Telegram, ku ishin shpërndarë mbi 10,000 fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave, pa dijeninë e tyre.

Të hënën, më 8 mars, Prokuroria Publike njoftoi se hetimi sa i përket rastit “Dhoma Publike 2”, është në fazën përfundimtare dhe se tashmë është ngritur procedurë hetimore ndaj dy personave, për veprën penale “Prodhim dhe distribuim i pornografisë së fëmijëve”.

Por, viktimat e “Dhomës Publike 2”, thonë se duhet që të investohet në profesionalizmin e organeve të sigurisë në raport me qasjen e tyre ndaj viktimave të dhunës mbi baza gjinore. Ato po ashtu kërkojnë që të ngriten kapacitetet institucionale me qëllim të mbrojtjes së viktimave pasi ato denoncojnë dhunën tek organet kompetente.

Në protestën e së hënës, po ashtu është kërkuar që ngacmimi seksual përmes internetit, të rregullohet në mënyrë specifike në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.

Aktivistja nga organizata joqeveritare “Fishkëllim”, Nesa Marku, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të fokusohen në edukimin e shoqërisë, në mënyrë që të shmangen deklaratat seksiste, që sipas saj, janë gjithnjë e më të pranishme në rrjetet sociale.

“Shikuar edhe nga ana ligjore, është e vështirë që të denoncohet një person i caktuar kur kemi të bëjmë me dhunën ndaj grave përmes rrjeteve sociale sepse abuzuesit, në mënyrë dinake, fshihen pas profileve të rreme”, thotë Marku, duke shtuar se kjo mundëson që gratë dhe vajzat e reja të jenë pre e ngacmimeve në rrjetet sociale.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosdënimi i abuzuesve, i inkurajon ata që të përsërisin veprat penale.

“Gjithmonë kur drejtësia është e ngathët hap shteg që aktorët e veprave të këtilla penale ta përsërisin veprën, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me dhunë ndaj grave, abuzime të ndryshme në rrjetet sociale, sa i përket privatësisë apo keqpërdorimit të të dhënave. Në momentin që sistemi gjyqësor, në formë transparente do të zbardhë rastet e këtilla, kjo do të ketë ndikim në sjelljen e përgjithshme sepse askush nuk dëshiron të ndëshkohet. Por, kur e dinë që nuk ka ndëshkim, ata përsërisin veprat”, thotë Iliev.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovki, në një konferencë të mbajtur online në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, është zotuar se do ta iniciojë formimin e një njësie speciale për luftimin e dhunës mbi baza gjinore, me qëllim që abuzuesit të dalin para drejtësisë, por edhe për viktimat të krijohen mekanizma për mbrojtje.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të propozojë krijimin e një njësie speciale, e një ‘taskë-force speciale’ për luftimin e dhunës me baza gjinore, e përbërë nga përfaqësues të disa organeve shtetërore, prokurorisë, strukturave të gjykatës dhe policisë si dhe përfaqësues të sektorit civil, që do të jetë një lloj lidhjeje për reagim të shpejtë, sanksionim dhe parandalim të këtyre fenomeneve”, tha Spasovski.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG