Ndërlidhjet

PZAP merr vendim për rinumërim të votave të AAK-së


Ilustrim.
Ilustrim.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e kandidates për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Florentina Gjergjaj, e cila ka kërkuar rinumërim të votave me kusht dhe atyre nga diaspora të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në vendimin e së hënës, PZAP-ja ka thënë se votat do të rinumërohen vetëm për kandidatët e AAK-së.

Në ankesën e saj, Gjergjaj ka pretenduar se ka fituar 3855 vota, derisa kandidatja tjetër, Meliza Haradinaj Stublla ka ftuar 3715 vota.

“Si dëshmi për pretendimet e saj, ka bashkëngjitur në apel rezultatet e Qendrës dhe Numërimit të Rezultateve, të datës 26.02.2021”, është thënë në vendimin e PZAP-së.

Lidhur më këtë vendim ka reaguar edhe vetë Haradinaj-Stublla, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka thënë se mirëpret këtë numërim të votave.

“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, ka thënë ajo.

Haradinaj-Stublla u është referuar disa raportimeve nga një media lokale në Kosovë, e cila ka postuar një material ku shihen tre persona, të cilët dyshohet se diskutojnë lidhur me falsifikimin e votave të kandidatëve subjekteve politike në QNR.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre materialeve.

Një ditë më parë, Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të nisë menjëherë hetimet rreth këtyre dyshimeve.

“Audio dhe video incizimi tregon se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marrë ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII”, është thënë në reagimin e këtij koalicioni në rrjetin social Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërin e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Në afatin 24-orësh për ankesa, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, në PZAP janë dërguar 208 ankesa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG