Ndërlidhjet

Në Maqedoninë e V. arrijnë 3.000 vaksina ruse


Një dozë e vaksinës Sputnik V.
Një dozë e vaksinës Sputnik V.

Të dielën në Maqedoninë e Veriut kanë arritur 3.000 vaksina ruse Sputnik V, nga rreth 200.000 sa janë porositur nga Rusia për vaksinimin e popullatës për mbrojtje nga koronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili së bashku me ambasadorin rus Sergej Bazdnikin, kanë dalë për të pritur vaksinat në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, tha se këto doza do të vaksinohen personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe kategori tjera ndërsa theksoi se vaksina është e sigurt.

Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do të vazhdojnë bisedimet edhe për sigurimin e dozave tjera, me qëllim vazhdimin e imunizimit të popullatës, bazuar në planin nacional për imunizim.

“Vaksina është e sigurt dhe efikase. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë popullit maqedonas me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta. Jemi të gatshëm që bashkëpunimin ta zgjerojmë edhe në sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergej Bazdnikin.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë arritur vetëm rreth 8.000 doza vaksinash të kompanisë amerikan Pfizer, edhe atë si donacion nga Serbia.

Me to janë vaksinuar punonjësit e Klinikës Infektive në Shkup, dhe të qendrave infektive të qyteteve tjera, si dhe punonjësit e qendrave COVID-19.

Opozita ndërkohë ka kritikuar qeverinë për dështim në sigurimin e vaksinave dhe përballjen me pandeminë, që sipas VMRO-DPMNE-së, dëshmohet me numrin e lartë të vdekjeve dhe rritjen e rasteve me këtë virus.

“Kjo qeveri mburret me një kuti të vaksinave të ardhura tani nga Rusia në Maqedoni, derisa në të njëjtën kohë në rajon dhe në botë masivisht vazhdon vaksinimi i popullatës. Maqedonia është vendi i fundit në Ballkan, në Evropë dhe në botë kur bëhet fjalë për vaksinimin. Fatkeqësisht, Maqedonia është e para për sa i përket vdekshmërisë kur bëhet fjalë për të vdekurit nga pandemia e COVID-19”, ka deklaruar Vlladimir Gjorçev.

Megjithatë, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë, që nuk ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit.

Lidhur me rritjen e numrit të rasteve me koronavirusin e ri, ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se institucionet po e ndjekin me vëmendje situatën, por se për momentin nuk ka ndonjë plan për mbyllje apo masa shtrënguese, ndonëse nuk përjashtohen në rast të përkeqësimit të gjendjes.

“Për momentin nuk ka rrezik për ngarkimin e kapaciteteve spitalore, gjithkund ka shtretër të lirë. Kemi pasur disa mbledhje me Komisionin për Sëmundje Infektive, po ndiqen numrat. Analiza përfundon në fillim të javës së ardhshme. Për momentin nuk kemi paraparë shtrëngim të masave, por kjo nuk përjashtohet nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet”, ka theksuar Filipçe.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në klinikat e Qendrës Universitare në Shkup dhe spitalet e qyteteve tjera janë duke u trajtuar 825 persona ndërsa shtretër të lirë ka edhe për 300 persona.

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka nisur tre javë më parë, por për dallim nga më parë nuk ka rritje të numrit të viktimave.

Prej shpërthimit të pandemisë, me koronavirus në Maqedoninë e Veriut janë të diagnostikuar mbi 106.000 persona.

Prej tyre 3.185 e kanë humbur jetën, rreth 94.000 janë shëruar ndërsa aktive janë rreth 9.100 raste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG