Organizata Reporterët pa Kufij ka dorëzuar një kallëzim penal në Gjermani, kundër princit saudit Muhammed bin Salman dhe disa zyrtarëve të lartë sauditë, duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi më 2018.
Kallëzimi penal 500-faqësh, i dërguar më 1 mars para Prokurorit të Përgjithshëm Publik në Gjermani, përfshin supozime për ndalime arbitrare të më shumë se 30 gazetarëve, përveç vrasjes së Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll më 2018.
“Ata që janë përgjegjës për përndjekje të gazetarëve në Arabinë Saudite, duke përfshirë vrasjen e Jamal Khashoggit, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Reporterët pa Kufij Christophe Deloire.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Gjermani ka thënë se ka pranuar kallëzimin penal dhe është duke analizuar bazën ligjore dhe faktike.
Në mesin e zyrtarëve tjerë të përmendur në kallëzimin penal të organizatës janë Saud al-Qahtani, i cili konsiderohet dora e djathtë e princit saudit, ish-këshilltari saudit Ahmed Mohammed al-Asiri, Gjenerali Maher Abdulaziz Mutreb dhe konsulli saudit në Stamboll, në kohën e vrasjes së Khashoggit, Mohammad al-Otaibi.
Princi Mohamed ka mohuar çfarëdo përfshirje në vrasjen e Khashoggit.
Ligjet gjermane u mundësojnë prokurorëve që të kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit.
Javën e kaluar, prokurorët gjermanë kanë dënuar një ish-pjesëtar të policisë sekrete të presidentit sirian, Bashar al-Assad, për përfshirjen e tij në torturim të të burgosurve në Siri.
Dërgesa e kallëzimit penal vjen pas publikimit të një raporti të inteligjencës amerikane më 26 shkurt.
Në gjetjet e raportit amerikan është thënë se Princi Mohammed ka miratuar operacionin për “vrasjen apo rrëmbimin” e Khashoggit, i cili ka qenë kolumnist në të përditshmen amerikan The Washington post dhe ish-këshilltar i familjes mbretërore saudite.
Uashingtoni ka sanksionuar dhjetëra sauditë, të cilët beson se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e Khashoggit,
Megjithatë, administrata e presidentit amerikan Joe Biden nuk ka sanksionuar princin saudit, pavarësisht pse Biden është zotuar për ndëshkim të liderëve sauditë, sa ka qenë në fushatë zgjedhore.
Arabia Saudite ka thënë se kundërshton raportin “negativ, të rremë dhe të papranueshëm” të inteligjencës amerikane.