Sllovakia pranoi të hënën 200,000 dozat e para të vaksinës ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.
Ky është vendi i dytë i Bashkimit Evropian, pas Hungarisë, që siguron këtë vaksinë.
Javën e kaluar, Sllovakia ka pasur normën më të lartë në botë të vdekjeve për kokë banori nga koronavirusi.
“Është në rregull të blihet vaksina ruse, sepse COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] nuk di asgjë për gjeopolitikën”, tha kryeministri sllovak, Igor Matoviç.
“Unë nuk e kam problem ta marr vaksinën Sputnik”, shtoi ai.
Sllovakia ka blerë dy milionë vaksina Sputnik V dhe pret që gjysma e tyre t’i arrijnë këtë muaj.
Ministri sllovak i Shëndetësisë, Marek Krajçi, tha se vaksinimi me Sputnik V mund të fillojë brenda javësh.
Në Çekinë fqinje, kryeministri Andrej Babis tha se edhe vendi i tij mund ta përdorë vaksinën Sputnik V për të luftuar pandeminë.
Rusia ka miratuar vaksinën e saj në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit.
Kjo ka bërë që shkencëtarët në gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme.
Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V - vaksinë që jepet në dy doza - është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit.
Kjo përqindje është e ngjashme me atë të vaksinave të zhvilluara në Perëndim.
Vaksina ruse është miratuar për përdorim në rreth 30 vende.