Ndërlidhjet

Lajçak pritet të nisë vizitën në Kosovë


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, pritet të nisë të hënën vizitën e tij në Kosovë.

Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë nga 1 deri më 3 mars.

Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.

Ndonëse agjenda e tij ende nuk është bërë publike, Lajçak pritet të takohet përgjatë tri ditëve me zyrtarë të lartë shtetërorë e politikë, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë më 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.

LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu është ‘prioritet i gjashtë apo i shtatë’, gjë e cila nuk është pritur mirë në BE. Zyrtarët e këtij institucioni, që e ndërmjetësojnë dialogun, nuk janë përgjigjur saktësisht në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse BE-ja është e gatshme të ndryshojë qasjen në dialog, por kanë kërkuar angazhim për të përmbyllur marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG