Ndërlidhjet

Evazioni fiskal deri në 30 për qind


Ilustrim.
Ilustrim.

Nga mbi 200 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), vetëm rreth 35 mijë prej tyre janë të fiskalizuara. Bazuar në këto të dhëna, shumë biznese vazhdojnë t’i ikin obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Pajisja me arka fiskale apo fisklaizimi i subjekteve afariste, kishte filluar si proces në vitin 2010 dhe qëllimi ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet (shitjet).

Në një përgjigje me shkrim nga ATK-ja dhënë për Radion Evropa e Lirë, thuhet se numri i saktë i bizneseve të pafiskalizuara nuk mund të dihet. Aty shtohet se shumë faktorë afektojnë procesin e fiskalizimit, sa i përket statistikave.

“Një numër i bizneseve nuk janë të obliguara që të fiskaliziohen për shkak të natyrës së punës që zhvillojnë. Bizneset që nuk janë të obliguara të pajisen me arka fiskale janë ato të cilat të gjitha pagesat i kryejnë përmes transaksioneve bankare, sektori bankar, bizneset mikrofinanciare si dhe disa nga ndërmarrjet publike”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Përveç këtyre bizneseve që nuk janë të obliguara të pajisen me arka fiskale, ka edhe biznese të cilat regjistrohen, mirëpo asnjëherë nuk zhvillojnë aktivitet ose mbyllen menjëherë pas regjistrimit.

Administrata Tatimore e Kosovës në deklarimet e mëhershme për REL ka potencuar se evazion fiskal ka në të gjitha anët e Kosovës, porse mendohet se ky aktivitet është i shtrirë më së shumti në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Konkurrencë e padrejtë në treg

Në ATK thonë se ekonomia joformale në Kosovë nga mekanizmat ndërkombëtarë është vlerësuar të jetë deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, por sipas këtij institucioni, kjo shifër nuk implikon vetëm ATK-në.

“Kjo shifër implikon një numër të madh të institucioneve për luftim e evazionit fiskal, jo vetëm ATK-në, pasi raportet janë të ndërtuara duke pasur për bazë krimet ekonomike, kontrabandën, shpëlarjen e parave e shumë të tjera, përderisa ATK-ja ka përgjegjësi vetëm për pjesën e ekonomisë së hirtë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sidoqoftë, numri i këtyre bizneseve të cilat iu shmangen obligimeve tatimore duke krijuar evazion fiskal, krijojnë konkurrencë të padrejtë në treg, që sipas pronarit të kompanisë "Frutex", Shaqir Palushi paraqet një problem për bizneset formale.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se për vite, si biznes që paguan të gjitha obligimet tatimore, janë përballur me një konkurrencë të padrejtë në treg.

“Prezenca e evazionit fiskal për vite në Kosovë sigurisht që ka dëmtuar biznesin, por në radhë të parë ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Ikja nga tatimi, atyre bizneseve iu jep mundësi që të ofrojnë produkte me çmime më të ulëta dhe kjo për një biznes formal është konkurrencë e padrejtë”, thotë ai.

Luftimi i evazionit fiskal rrit buxhetin e shtetit

Luftimi i evazionit fiskal është parë si mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se për të realizuar premtimet për punësim e zhvillim ekonomik që ka bërë partia Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, duhet të luftohet ekonomia joformale.

“Me një qasje më serioze nga ana e institucioneve të shtetit, në rend të parë të ATK-së e cila bën mbledhjen e brendshme të tatimeve, mund të kemi rezultate të konsiderueshme në luftimin e ekonomisë joformale”, tha Zeka.

Me qëllim të luftimi të evazionit fiskal, në vitin 2015 kishte hyrë në fuqi një udhëzim administrativ, i cili parashihte që për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori.

Më pas ky proces kishte pësuar modifikime në rimbursim. Ndërkaq, në vitin 2020 ishte pezulluar me një vendim të ATK-së.

Sipas ATK-së, për riaktivizimin e kampanjës “Rimbursimi i qytetarëve nga grumbullimi i kuponëve fiskalë”, qytetarët do të informohen me kohë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG