Ndërlidhjet

Dorëzohet ish-shefi i policisë maqedonase, Sasho Mijallkov


Ish-shefi i policisë maqedonase, Sasho Mijallkov.
Ish-shefi i policisë maqedonase, Sasho Mijallkov.

Ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, u paraqit të martën në Prokurorinë e Shkupit, për të marrë vendimin e arrestit shtëpiak, pas dy ditë kërkimesh intensive nga policia, e cila shpalli edhe fletarrestim ndërkombëtar.

Prokuroria kërkoi të premten e kaluar masën e arrestit të Mijallkovit, në lidhje me procesin gjyqësor për aferën e përgjimeve, e cila është publikuar në vitin 2015 nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

Në seancën e ditës së martë, prokurorja Lence Ristevska kërkoi dënimin e Mijallkovit për tri vepra: përgjim të paligjshëm, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe asgjësim të materialeve për përgjim.

Për të gjitha këto vepra, ajo kërkoi dënim maksimal, apo 13 vjet burgim.

Në bazë të akuzës për rastin e koduar si “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, i cili ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4,000 numra të telefonit, apo rreth 20 mijë persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.

“Nuk jam arratisur asnjëherë, por kam qenë i sëmurë, me temperaturë 40 gradë, dhe për këtë jam vetizoluar, sepse kam dyshuar për simptoma të koronavirusit. Vetë kam ardhur në Prokurori për t’i sqaruar të gjitha dyshimet dhe akuzat”, tha Mijallkov para Prokurorisë së Shkupit.

Ai kërkoi falje për rrëmujën e krijuar këto ditë, pasi shërbimet policore kanë rritur shkallën e gatishmërisë, duke ngritur postblloqe të shumta policore, ndërsa kanë shtuar edhe kontrollet në shumë objekte të dyshuara për strehimin e ish-shefit të policisë sekrete.

Edhe pse Mijallkov tha se është dorëzuar vetë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo është bërë e mundur falë angazhimit të policisë dhe personalisht vetë atij.

“Arrestimi i tij ka ardhur si rezultat i masave të ashpra që ndërmori Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit për kapjen e tij. Gjatë tërë kohës kam qenë i informuar dhe kam drejtuar personalisht të gjithë operacionin, hap pas hapi, dhe më në fund u arrit rezultati që pritej nga të gjithë”, tha Zaev në një konferencë për media, mbrëmjen e së martës.

Ai i hodhi poshtë kërkesat për përgjegjësi, meqë, sipas tij, “institucionet kanë punuar në mënyrë të shkëlqyer dhe të koordinuar” dhe ato “duhet të përgëzohen për këtë dhe jo të kritikohen”.

Opozita kërkoi interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG