Ndërlidhjet

Arrin në Serbi kontigjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas


Ilustrim.
Ilustrim.

Kontingjenti i parë i 150,000 dozave të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, ka arritur në mëngjesin e së dielës në Serbi.

Aeroplani me vaksina, që ka ateruar në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesla”, është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka deklaruar se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet trepalëshe në mes të Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë, andaj në aeroport janë parë edhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Serbi, Sian McLeod dhe Vijay Kumar, respektivisht.

"Faleminderit për mbështetjen e Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne," ka thënë Vuçiq.

Ambasadorja britanike, Sian McLeod, ka thënë se është e lumtur që sheh arritjen e vaksinave të kompanisë AstraZeneca në këtë shtet.

"Vaksinimi i botës do të thotë punë globale. Unë pres që këto vaksina të jenë në dispozicion në gjithë botën së shpejti," është shprehur ajo.

Vijay Kumar nga ambasada e Indisë, ka thënë se Serbia është vendi i parë në rajon që siguron këto vaksina të prodhuara në Indi.

"Kryeministri indian Narendra Modi ka thënë në disa raste që India do t'i bëjë kapacitetet e saj të prodhimit, të disponueshme edhe për vendet e tjera," ka deklaruar mes tjerash Kumar.

Vuçiq ka njoftuar edhe se Serbia pritet të sigurojë vaksinat tjera kundër koronavirusit, përmes mekanizimit ndërkombëtar COVAX, në fund të marsit ose fillim të prillit.

"Por para se të vijnë vaksinat nga programi COVAX, ne sigurisht që do të vaksinojmë dhe rivaksinojmë 1.1 ose 1.2 milion njerëz. Kjo përbën 20 për qind e popullsisë së rritur ", ka thënë ai.

Pas dërgesës të së dielës, Serbia konsiderohet një nga vendet e pakta në botë, ku qytetarët e saj do të jenë në gjendje të zgjedhin midis katër vaksinave të ndryshme kundër koronavirusit.

Ky shtet deri më tani ka siguruar vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, atë ruse, Sputnik V, kineze Sinopharm dhe tani vaksinën e kompanisë AstraZeneca.

Kjo e fundit është miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të janarit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG