Ndërlidhjet

Refuzohen mbi 3 mijë fletëvotime nga diaspora


Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.
Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë njoftoi se 3,435 zarfe me fletëvotime nga diaspora janë refuzuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), tha se “deri më tani, nga 11,653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8,212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3,435”.

Ai tha se arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme.

“Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së aplikimit. Po ashtu, disa prej tyre janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Rastet e tjera të refuzuara kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar, apo ka pasur votim grupor”, tha Elezi.

Elezi foli edhe për procesin e rinumërimit të votave në 12 vendvotime në disa komuna.

Rinumërimi duhet të bëhet pasi gjatë pranimit të materialit zgjedhor, fletëvotimet nga këto vendvotime nuk kanë mundur të pranohen si të rregullta.

“Rrinumërimi i tyre do të bëhet gjatë ditës së sotme. Pas orës 14:00, besoj që do të përmbyllet ky proces. Ndërkaq, sa i përket mundësisë që të ketë sërish rinumërim të vendvotimeve të tjera, me rekomandim të QNR-së, ne nuk mund ta përjashtojmë këtë, për faktin se ka vendvotime, të cilat janë në procesin e auditimit aktualisht dhe duhet të presim procesin e auditimit për të parë nëse do të ketë nevojë për rinumërim”, tha Elezi.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që janë mbajtur më 14 shkurt.

Përveç votave nga diaspora, KQZ-ja nuk ka nisur as procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Në bazë të rezultateve preliminare, zgjedhjet e 14 shkurtit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG