Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që janë mbajtur më 14 shkurt, tha të martën Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Përveç votave nga diaspora, KQZ-ja nuk ka nisur as procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Janë duke u zhvilluar disa procedura në QNR. Njëra prej tyre është skenimi i listës përfundimtare të votuesve, që është proces i domosdoshëm, i cili duhet të përfundojë, në mënyrë që të mund të bëhet krahasimi i qytetarëve që kanë votuar në mënyrë të rregullt dhe ata që kanë votuar në vendvotim të dyfishtë. Pra, për të parë se a ka ndonjë rast, që ndonjë person ka votuar në të dyja vendvotimet”, tha Elezi.
Megjithatë, ai tha se shpreson që kur të krijohen kushtet për numërimin e votave, procesi të mos marrë shumë kohë.
Rreth 43,500 pako me fletëvotime nga diaspora kanë arritur në Kosovë.
Mbi 100,000 qytetarë, që jetojnë jashtë Kosovës, kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Mes tjerash, Elezi tha se të martën ka filluar publikimi i kopjeve të skanuara të formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ky proces, sipas tij, ka filluar me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.
“Të gjithë të interesuarit do të mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve për secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve, të cilët janë plotësuar në vendvotime nga Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve”, tha ai.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi rreth 48 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.35 për qind.
E treta është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.18 për qind dhe në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind.