Maqedonia e Veriut ka pranuar të dielën vaksinat e para kundër COVID-19 që janë donacion nga Serbia. Bëhet fjalë për 4,680 doza të vaksinës të kompanisë Pfizer/BioNtech nga rreth 8 mijë sa janë premtuar nga autoritetet serbe.
Dërgesa duhej të arrinte të hënën por ishte shtyrë për shkak shkaqe teknike, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit teknik dhe kërkesave të kompanisë amerikane.
“Kjo ngjarje është rezultat i miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë midis dy shteteve tona, si dhe mirëkuptimit me situatën në të cilën ndodhet e gjithë bota", tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në vendkalimin kufitar Tabanovc, gjatë pranimit të vaksinave nga Serbia.
"Si shprehje e një veprimi miqësie, Serbia dhe populli serb sot na dhuruan disa nga vaksinat e tyre për njerëzit e Maqedonisë së Veriut. Pakoja prej 4680 vaksinash, nga gjithsej 8,000, është shprehje e një dore miqësore dhe ndihme për qytetarët maqedonas derisa të vijnë vaksinat që kemi porositur", tha Zaev.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se shpreson që këto vaksina do të shpëtojnë jetë njerëzish ndërsa shprehu besimin se dy shtetet do të arrijnë me sukses të përballen me pandeminë.
“Serbia nuk ka interes tjetër përveç se të tregojë miqësi me popullin dhe shtetin maqedonas. Kjo është dhurata më e zakonshme, për të cilën jemi të sigurt që do të na bënit edhe ju. Një mik i vërtetë është ai që ju ndihmon kur jeni në telashe. Shpresoj që vaksinat të jenë në dispozicion të mjekëve të që janë në radhët e para të përballjes me pandeminë”, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Edhe Bullgaria i kishte premtuar Maqedonisë së Veriut donacion prej rreth 5 mijë vaksinave por ato nuk kanë mundur ende të arrijnë për shkak të pengesave teknike, kryesisht mos aprovimit nga kompania Pfizer.
Maqedonia e Veriut është në pritje edhe të 200 mijë vaksinave nga Kina për çka edhe është nënshkruar marrëveshje me prodhuesin kinez “Sinofarm”.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe tha se autoriretet shëndetësore kanë bërë gati edhe planin operativ që parasheh vaksinimin e 2,500 qytetarëve në ditë, prej tyre nga 880 nëpër 7 poliklinikat e kryeqytetit dhe afër 500 të tjera në pikat e Qendrës Klinike.