Ndërlidhjet

Kërkesat për shtyrjen e regjistrimit me pasoja mbi politikat zhvillimore


Një person kalon pranë një murali me motive shqiptare në Shkup. Fotografi nga arkivi.
Një person kalon pranë një murali me motive shqiptare në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Opozita maqedonase ka nisur procedurën ligjore për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, që është paraparë të mbahet në muajin prill.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nismën për mbledhjen e nënshkrimeve për abrogimin e Ligjit për regjistrim të miratuar më 21 janar. Procedura parashikon që fillimisht të mblidhen 100 nënshkrime në njësitë rajonale të KSHZ-së, që duhet të verifikohen në komisionet kuvendore dhe që do t’i hapnin rrugën procedurës tjetër, atë të mbledhjes së 100 mijë nënshkrime, ku më pas do të obligohej kuvendi që të iniciojë sërish debatin për këtë ligj.

Mickovski thotë se regjistrimi duhet të shtyhet për shkak të pandemisë, por edhe vërejtjeve që ka opozita lidhur me mënyrën e realizimit të regjistrimin duke hedhur dyshime, për siç ka thënë, “pazare mes partive në pushtet për kurdisje të përqindjes së numrit të popullatës”.

“Apelojmë për mirëkuptim dhe regjistrimi të shtyhet për në vitin 2022. Kërkojmë nga qeveria dhe kuvendi që të mbështesin propozimin tonë për regjistrim elektronik të popullsisë... ligji i miratuar, vetëm statistikor nuk mund të quhet, pasi partitë në pushtet synojnë politizimin e procesit duke mos nxjerr të dhënat të sakta mbi numrin e popullsisë”, ka deklaruar Mickovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendaroski ndërkohë ka thënë një intervistë televizive se “nuk do të ishte fundi i botës nëse regjistrimi do të shtyhej për një ose dy muaj”.

“Ka disa shtete në Evropë, pra jo vetëm në rrethin tonë, që e kanë shtyrë regjistrimin. I kuptoj shqetësimet mbi shëndetin e qytetarëve, prandaj edhe këtu nuk shoh ndonjë pengesë sikur ky proces të shtyhej për një ose dy muaj”, ka deklaruar presidenti Pendarovski, një prononcim për televizionin 24.

Por, nga Enti Shtetëror i Statistikës thonë se shtyrja e regjistrimit të popullsisë nuk duhet të ndodhë për faktin se Maqedonia e Veriut gati 20 vjet nuk ka bërë regjistrimin, nga i cili varen shumë procese që kanë të bëjnë me hartimin e shumë proceseve zhvillimore.

“Regjistrimi siguron dhe mundëson të dhëna të cilët më pas mund të përdoren për planifikimet që kanë të bëjnë me arsimimin, me punësimin, me zhvillimin e rajoneve të posaçme. Regjistrimi ka të bëjë me zhvillimin e qyteteve, fshatrave, grupeve të ndryshme të interesit, të popullatës, ekonomisë në tërësi e kështu me radhë. Të gjitha këto grupe janë të interesuar për të dhëna më të sakta dhe kualitative që janë më se të nevojshme pasi nuk i kemi tani 19 vjet. Mungesa e të dhënave të këtilla që i mundëson regjistrimi, qoftë edhe për një muaj, do të sillte që të shtyhen nevojat reale për këto planifikime”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2002, sipas të cilit Maqedonisë e Veriut ka rreth 2 milionë banorë nga të cilët, 25.17 për qind janë shqiptarë. Regjistrimi i radhës duhej të mbahej në vitin 2012, po kishte dështuar pikërisht për shkak të dallimeve mbi formën e realizimit të tij, përfshirjen ose jo të diasporës, që në numër më të madh është shqiptare, por edhe aspekteve tjera.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG