Ndërlidhjet

Maqedonia e V. në mars furnizohet me vaksina kundër COVID-19


Një punonjëse shëndetësore duke vaksinuar një paciente kundër koronavirusit. Foto nga arkivi.
Një punonjëse shëndetësore duke vaksinuar një paciente kundër koronavirusit. Foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut nuk do të furnizohet me vaksina kundër COVID-19, para muajit mars, edhe pse institucionet kishin premtuar se vaskinat e para do të arrinin në fillim të muajit janar apo në fillim të muajit shkurt.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut mund të shpresojë për vaksina kundër COVID-19 përmes sistemit Covax, në mars.

“Mekanizmi COVAX, përmes një njoftimi me shkrim na ka informuar se vaksina e parë që do të mbërrijë në vendin tonë përmes këtij mekanizmi është AstraZeneca. Dorëzimi i 35% të 175.200 dozave të planifikuara të kësaj vaksine do të arrijnë në muajin mars kurse pjesa tjetër nga mesi i vitit. Sistemi i vaksinimit është plotësisht i përgatitur për të marrë sasitë e vaksinave përmes këtij mekanizmi, por në të njëjtën kohë po bëjmë përpjekje për të siguruar vaksina nga prodhues të tjerë dhe përmes mekanizmave të tjerë”, ka njoftuar Filipçe.

Ai gjithashtu njoftoi se institucionet kanë bërë gati listat me emrat e qytetarëve që do të jenë të parët që do të marrin vaksinën. Institucionet kanë rekomanduar vaksinimin e personave që janë infektuar pavarësisht nëse kanë antitrupa.

"Përkundër vaksinës, duhet të respektohen masat e mbrojtjes. Është bërë një listë me 14.000 qytetarë të cilët do të thirren përmes mjekëve familjarë dhe formave tjera për t’u vaksinuar”, ka deklaruar Filipçe.

Bullgaria dhe më vonë edhe Serbia i kishin premtuar Maqedonisë së Veriut dhurimin e një sasie të vaksinave nga furnizimet e saj, por ato nuk janë realizuat për shkak të pengesave ligjore.

Opozita maqedonase ka akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për dështim në përballje me pandeminë duke e bërë siç ka thënë “vendin e vetëm në rajon dhe më gjerë që ende nuk është furnizuar qoftë edhe me një vaksinë”.

Maqedonia e Veriut me COVID-19 ka diagnostikuar 93.160 persona, prej tyre 82.520 janë shëruar, 2.873 kanë vdekur ndërsa 7.767 janë raste aktive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG