Ndërlidhjet

Pse Kina nuk po e kundërshton puçin në Mianmar?


Liderja de fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping më 18 janar 2020.
Liderja de fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping më 18 janar 2020.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte në plan të lëshonte një deklaratë për të dënuar grushtin e shtetit në Mianmar, por ajo u bllokua nga Kina.

Ky vend është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit dhe ka të drejtën e vetos.

Këshilli i Sigurimit u takua të martën, por nuk arriti pajtim për deklaratën e përbashkët.

Para bisedimeve në Këshill, e dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara për Mianmarin, Christine Schraner, e dënoi fuqishëm marrjen me forcë të pushtetit nga ana e ushtrisë.

"Rezultati i fundit i zgjedhjeve ishte një fitore e madhe për partinë e zonjës Aung San Suu Kyi”, tha ajo.

Çfarë ka ndodhur në Mianmar?

Të hënën, më 1 shkurt, ushtria mori pushtetin në vendin e Azisë Juglindore. Ushtria arrestoi udhëheqësen politike, Aung San Suu Kyi dhe qindra ligjvënës të tjerë. Pas këtij veprimi, udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë formuar një Këshill Suprem i cili do të zëvëndësojë kabinetin qeverisës.

Të mëkurën policia njoftoi se ka ngritur akuza kundër, Aung San Suu Kyi, dhe se ajo do të mbahet në arrest deri më 15 shkurt.

Në qytetin më të madh të Mianmarit, Yangon, është vërejtur rritje e shenjave të rezistencës dhe mosbindjes qytetare.

Kundërshtimit të puçit i janë bashkuar mjekët dhe stafi mjekësor i dhjetëra spitaleve në të gjithë vendin. Ata kanë ndaluar punën dhe po kërkojnë lirimin e zonjës Suu Kyi.

Marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë erdhi pas akuzave për manipulime në zgjedhje nga ana e partisë Lidhja Kombëtare të Demokracisë (NLD), të cilën e udhëheq Aung San Suu Kyi.

Suu Kyi është një ish e burgosur politike dhe figura kyçe e luftës së gjatë të Mianmarit kundër diktaturës.

Partia e saj fitoi 83 për qind të vendeve në zgjedhjet e 8 nëntorit, që vlerësoheshin si një lloj referendumi për qeverinë e saj.

Pse Kina nuk u pajtua me kundërshtimin e KS të OKB-së?

Kina e ka arsyetuar qëndrimin e saj me pretendimin se sanksionet ose presioni ndërkombëtar do t'i përkeqësonte gjërat në Mianmar.

Pekini ka pasur një kohë të gjatë rol në mbrojtjen e vendit nga presioni ndërkombëtar. Kina është një nga aleatët më të rëndësishëm ekonomik të Mianmarit, transmeton BBC. Krahas Rusisë, Kina e ka mbrojtur vazhdimisht Mianmarin nga kritikat në Kombeve të Bashkuara për shtypjen ushtarake të pakicës myslimane Rohingya.

G7 dënon puçin

Puçi ushtarak është dënuar nga shumë vende edhe organizata në botë. Presidenti amerikan, Joe Biden ka kërcënuar me vendosje të sanksioneve.

Ndërkohë, grupi i shtatë fuqive më të mëdha ekonomike të botës, i njohur si G7, tha se ishte "thellësisht i shqetësuar" dhe bëri thirrje për kthimin e demokracisë në këtë vend.

"Ne i bëjmë thirrje ushtrisë që menjëherë të përfundojë gjendjen e jashtëzakonshme, të kthejë pushtetin të qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të lirojë të gjithë të ndaluarit", tha deklarata e lëshuar në Londër.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Disa fakte për Mianmarin

Mianmari, i njohur edhe si Burma, është një vend me 54 milionë banorë në Azinë Juglindore.

Ky vend kufizohet me Bangladeshin, Indinë, Kinën, Tajlandën dhe Laosin.

Ky vend u drejtua nga një qeveri ushtarake me tipare shtypëse nga viti 1962 deri më 2011. Në atë kohë vendi ballafaqohej me sanksione ndërkombëtare.

Për vite me radhë, Aung San Suu Kyi, bëri fushatë për reforma demokratike.

Një ndryshim demokratik filloi më 2010, megjithëse ushtria mbajti ende një ndikim të konsiderueshëm.

Pas zgjedhjeve të lira më 2015, në pushtet erdhi një qeveri e udhëhequr nga Suu Kyi.

Ajo gëzoi mbështetje të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. Por, kjo mbështetje u luhat pasi autoritetet filluan një fushatë goditëse ndaj myslimanëve Rohingya, duke detyruar qindra mijëra prej tyre të ikin në Bangladesh.

Si politikane ajo është mjaft e popullarizuar brenda vendit. Por, ushtria sërish ndërhyri dhe ia mori pushtetin.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG