Ndërlidhjet

Ta luash dhimbjen e Fahrijes


Pamje nga filmi 'Zgjoi' i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli.
Pamje nga filmi 'Zgjoi' i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli.

*Filmi "Zgjoi" më 21 dhjetor u fut në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar. Ne po ua risjellim tekstin për historinë e Fahrije Hotit, mbi jetën e së cilës është bazuar filmi "Zgjoi".

Gjithë çfarë donte Fahrije Hoti në fillim të viteve 2000, ishte një jetë më e mirë për dy fëmijët e saj.

Lufta e fundit në Kosovë e la të ve dhe pa shtëpi. Gjithçka duhej nisur nga e para. Fahrija mblodhi dhimbjen dhe e shndërroi në copëza force. Ajo dhe fëmijët e saj duhet të mbijetonin. Historia e saj është histori suksesi e një gruaje që arriti jo vetëm ta kthente dhimbjen në forcë, por mbi të gjitha që arriti të thyejë paragjykimet dhe diskriminimet. Ajo themeloi kooperativën bujqësore të grave ‘Krusha’. Përmes biznesit të saj, i ndihmoi edhe gratë e tjera të veja nga Krusha e Madhe.

Historia e Fahrijes i la përshtypje regjisores dhe skenaristes kosovare, Blerta Basholli. Ajo arriti që jetën e saj dhe luftën kundër diskriminimit ta kthejë në art. ‘Zgjoi’ është titulli i filmit që paraqet jetën e Fahrijes në ekranin e madh. Ky film pati premierën të dielën në festivalin prestigjioz amerikan “Sundance Film Festival 2021”. Sipas këtij festivali, filmi ‘Zgjoi’ “është një perlë e cila thekson fuqinë në personazhet e tij, duke dëshmuar që asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision”.

"Zgjoi" fitoi tri çmime në festivalin "Sundance": Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.

“Fillimisht kam qenë e fascinuar së pari me tregimin e Fahrijes kur e kam dëgjuar në televizion, më është dukur një rast shumë interesant, fillimisht si storie suksesi, por pastaj edhe paragjykimi që i është bërë nga shoqëria, pasi është e ve dhe ka filluar të punojë. Për mua këto dy elemente kanë qenë shumë intriguese dhe për këtë arsye kam shkuar ta takojë Fahrijen”, tregon për Radion Evropa e Lirë, Blerta Basholli.

Takimet me të i filloi qysh në vitin 2011. Bisedat ishin të gjata, të detajuara për gjithë peripecitë e saj për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen.

“Në secilën bisedë normalisht është dashur të shkojmë goxha thellë në ndjenja dhe kujtime dhe kjo ka qenë normalisht për mua pak problematike sepse nuk kam dashur për hir të skenarit dhe të filmit ta kthej edhe njëherë në këto ndjenja të vështira”, thotë Basholli.

Ndjenjat e Fahrijes pas shikimit të filmit ishin të përziera. Ajo i rijetoi të gjitha ato momente, por edhe u ndje krenare për atë që ka arritur.

“Ka qenë rikthim edhe njëherë. Kanë qenë momente shumë të vështira që unë e kam prezantuar për pesë minuta një moment timin. Por, në ato pesë minuta, në atë rol, kam ndierë edhe shumë momente të tjera. Ka qenë për mua pak e zorshme, por megjithatë është krenari që është bëj një film për personazhin tim”, thotë Fahrije Hoti.

Që prej vitit 2011 kur i erdhi kjo ide Bashollit për ta realizuar këtë film, ajo kishte në kokë emrin e aktores kosovare, Yllka Gashit për ta luajtur personazhin kryesor.

“Dhimbja në fytyrë, dhimbja në punën që e bënte, ma pasqyronte një Fahirje të dytë”, shprehet vetë Fahirja për aktrimin e Yllka Gashit në filmin ‘Zgjoi’.

Kurse për aktoren Yllka Gashi, ky rol ishte sfidues për arsyen që bazohet në një personazh të vërtetë. Por, megjithatë ky rol për të ka qenë përvoja më e mirë profesionale.

“Kur ke të luash një person që është njeri i vërtetë, që ende jeton, që e njohim, që e kemi parë neper intervista, është më e vështirë dhe më e rrezikshme në kuptimin e mirë të fjalës sepse mundesh të gabosh”, thotë Gashi.

“Por, Blerta, ka vendosur që ne të mos e luajmë zonjën Fahrije, në kuptimin që unë të bëhem si ajo, të flas si ajo, të sillem si ajo, por ta luaj dhimbjen e saj”, shton ajo.

Aktorja Gashi shprehet që historia e Fahirjes e riktheu edhe atë në kujtimet e luftës.

“Personalisht më ka sjell dhimbje sepse ky rol lidhet me pasojat e luftës, me personat që janë ende të pagjetur dhe më janë kthyer kujtimet personale që i kam nga lufta, ta cilat natyrisht nuk janë të mira sepse lufta ka qenë e tmerrshme dhe na ka dëmtuar si popull jashtëzakonisht shumë”, tregon ajo.

Lufta e një gruaje kundër diskriminimit dhe paragjykimit është arsyeja pse sipas Bashollit, ky film është pritur mirë nga publiku i huaj.

“Mendoj që është temë universale, fillimisht gratë dhe vajzat në gjithë botën mendoj që identifikohen se ka diskriminime në fusha të ndryshme, në kultura të ndryshme, por diskriminimi është i pranishëm, stereotipizimi është i pranishëm, paragjykimi është i pranishëm gjithkund në botë”, shprehet Basholli.

Filmi ‘Zgjoi’ është filmi i parë i gjatë i Bashollit dhe pas festivalit ‘Sundance’ ka një rrugëtim nëpër festivale të tjera meqë rast do të ketë premierën në Evropë dhe më pas premierën rajonale. Për publikun kosovar do të shfaqet në fund të këtij viti.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG