Gjykata Supreme në Kosovë ka njoftuar të premten se ka pranuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikim të kandidatëve për garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Sipas kësaj Gjykate, Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezi duhet të shtohen në listën e kandidatëve të LVV-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të dënimit trevjeçar.
“Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3-vjeçar duhet të llogaritet duke iu referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, është thënë në vendim.
Kjo nënkupton që Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi, nuk do të garojnë në këto zgjedhje.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.
Në vendimin e së premtes, Gjykata Supreme ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duke kërkuar që kandidatit Shemsedin Dreshaj t’i mundësohet futja në listën e kësaj partie.
Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen, bazuar në këtë vendim.
“Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3-vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, është thënë në vendim.
Ndërkaq ankesat e nisura nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe NISMA Socialdemokrate, janë konsideruar të pabazuara.
Si erdhëm deri këtu?
Në mbledhjen e mbajtur më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar listat me kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate dhe disa parti të komuniteteve joshumicë. Në këtë mbledhje, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti.
Ky vendim i KQZ-së nxiti reagime të shumta të partive politike, pasi vetë Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim kishte rekomanduar që të certifikohen listat zgjedhore të të gjitha partive.
Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar dhjetorin e kaluar, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, KQZ-ja ka ndërmarrë një proces të verifikimit të kandidatëve për deputetë, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje dërguar KQZ-së më herët gjatë këtij muaji, ka thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin.
Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.