Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Hagës, Nicolas Guillou, e refuzoi kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për lirim të përkohshëm.
Thaçi ndodhet në objektet e paraburgimit në Hagë qysh në fillim të nëntorit, kur është arrestuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja e tij e ka paraqitur kërkesën për lirim të përkohshëm qysh më 4 dhjetor.
Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, refuzimi i kërkesës për lirimin e përkohshëm të Thaçit arsyetohet me Nenin 41(6)(b) të Ligjit.
Ky nen, mes tjerash, përfshin: rrezikun nga arratisja, rrezikun nga shkatërrimi, fshehja, ndryshimi ose falsifikimi i provave, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Gjykatësi i procedurës paraprake ua ka refuzuar kërkesën për lirim të përkohshëm edhe Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.