Edhe gjashtë vjet nga afera e përgjimeve e publikuar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, ish-lider i atëhershëm i Lidhjes Social Demokrate, tani kryeministër, nuk ka ende një epilog gjyqësor kundër atyre që kanë urdhëruar përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Zaev kishte bërë të ditur se në mesin e 20,000 qytetarëve të përgjuar kishte politikanë nga opozita e atëhershme, ministra në qeverinë e mëparshme, deputetë, përfaqësues të BDI-së, PDSH-së dhe qytetarë. Vetëm numrat e telefonit të Nikolla Gruevskit dhe shefit të Policisë sekrete, Sasho Mijallkov, nuk ishin përgjuar.
Të akuzuar për këtë vepër janë pikërisht ish-shefi i Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, dhe disa punonjës të ish-shërbimit sekret, të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mijëra numrave telefonikë në periudhën 2008 dhe 2015.
Procesi gjyqësor ka nisur në vitin 2016 nga ish-Prokuroria Speciale, e cila duhej të zbulonte se kush ka urdhëruar përgjimin e paligjshëm, por ende nuk ka asnjë epilog, ndërsa një pjesë e akuzës kundër Mijallkovit edhe mund të vjetrohet nëse gjykimi nuk përfundon deri në mars, në pjesën e akuzës që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.
Ish-shefi i Policisë, Sasho Mijallkov, kushëri i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i ka mohuar në vazhdimësi akuzat, sikurse dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
“Nëse nuk do të ketë dënime, nëse nuk do të ketë sanksione, konsideroj se edhe në të ardhmen do të rrezikohet privatësia dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me aktivitetet tona, qoftë private apo profesionale. Shteti duhet të funksionojë, që për momentin nuk po e bën këtë. Të gjithë këtu janë përgjuar, si partitë politike, biznesmenët, gazetarët, e kështu me radhë".
"Zvarritja e procesit është pasojë e mungesës së funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe gjyqësorin”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, duke theksuar se për këtë rast duhet të ketë përgjegjësi meqë përgjimet janë të ndaluara përveç në rastet kur kjo bëhet në mënyrë ligjore, me urdhër të organeve hetuese.
Qebir Avziu, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk beson se ky rast do të ketë epilog, bazuar në punën e deritashme të organeve hetuese, por ai druan se përgjigjet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Kjo ka bërë që t’u jepet mundësi dhe hapësirë edhe institucioneve tjera që të vazhdojnë me këtë praktikë. A do të mundet t’u jepet fund ndonjëherë përgjimeve jo të ligjshme? Vështirë t’i jepet fund kësaj praktike në vendin tonë për shkak të mundësisë për të pasur pajisje të kësaj natyre nga shumë institucione dhe organizata, parti politike, e qytetarë. Nëse do të ndryshohet Kodi Penal dhe të ashpërohen dënimet, ndoshta mund të bëhet diçka, por nuk besoj se kjo do të ketë fund”, thotë Avziu.
Për shkak të përgjimeve të paligjshme dhe shkeljes së privatësisë , 177 persona kanë paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit të shkaktuar në Gjykatën Themelore të Shkupit, por edhe procesi i tyre tani një kohë të gjatë po zvarritet për shkak të procedurave të ndryshme.
Një biznesmen i përgjuar në mënyrë të paligjshme kërkon 10 milionë euro dëmshpërblim, ndërsa ka edhe të tjerë që kërkojnë kompensim në shuma të mëdha parash. Në mesin e atyre që kërkojnë kompensim është edhe një grup gazetarësh që po ashtu ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme nga ish-qeveria e Nikolla Gruevskit, i cili është arratisur në Hungari ku ka fituar statusin e azilit politik.
Facebook Forum