Ndërlidhjet

Blinken: E duartrokas angazhimin e administratës Trump për Kosovën dhe Serbinë


I nominuari për pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
I nominuari për pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

I nominuari për pozitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka folur me tone pozitive për angazhimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një seance të konfirmimit të mbajtur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ai u pyet nga senatori Ron Johnson në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Uashington. Johnson tha se gjërat nuk po përmirësoheshin derisa nuk u paraqit Richard Grenell me idenë e normalizimit të raporteve ekonomike.

Duke iu përgjigjur, Blinken tha se janë një sërë çështjesh që administrata e presidentit Trump ka bërë jashtë kufijve, të cilat ai i duartroket.

“Ju përmendet edhe punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë. Unë e duartrokas atë. Presidenti i zgjedhur (Joe Biden) ka kaluar shumë kohë në këto vende në të kaluarën dhe mendoj se ndan bindjet për gjërat që mund të bëjmë për të ndihmuar Kosovën që të lëviz përpara dhe gjithashtu me shpresë edhe Serbinë”, tha Blinken.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG