Ndërlidhjet

Navalnyt nuk i lejohet komunikimi me avokatë


Politikani rus i opozitës, Alexei Navalny.
Politikani rus i opozitës, Alexei Navalny.

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili u ndalua të dielën nga autoritetet e zbatimit të ligjit në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, është duke u mbajtur në burg pa ndonjë komunikim, thanë avokatët e tij.

Avokatët thanë se atyre nuk u është dhënë qasje qëkur Navalny u dërgua në stacionin e policisë afër aeroportit dhe se gjendja e tij nuk është e qartë.

Më herët, Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit Anti-korrupsion të Navalnyt, dhe zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, thanë se ai është në Departamentin e Punëve të Brendshme në qytetin Khimki.

Yarmysh shtoi se autoritetet vazhdojnë të refuzojnë që t'i lejojnë atij të takojë avokatin.

Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kërkuan lirimin e menjëhershëm të politikanit rus të opozitës.

Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi fluturimi i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite.

Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Noviçok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse.

Qeveria e presidentit Vladimir Putin e mohon helmimin e Navalnyt.

Megjithatë, pohimet e tij janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues.

Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për lirim të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen t’i heshtin kritikët e tyre.

“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, u shpreh në frymë të ngjashme.

“Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan.

Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt.

Navalny u ndalua nën disa akuza të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG