Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi të mërkurën ndaj pretendimeve nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.
“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani duke bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.
Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar të mërkurën vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës. Osmani mbrëmë ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak e më herët edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, si dhe Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi.
Të martën, më 12 janar, Lajçak theksoi në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, se pozicioni i këtyre pesë vendeve mund të ndryshojë nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
"Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën", nënvizoi Lajçak, duke iu referuar kontakteve që ka me këto vende, por gjithashtu duke iu referuar vendit të tij, Sllovakisë, e cila gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.
"Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju deklaroja: Më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t'ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Lajçak.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovinës, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.
Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.