Ndërlidhjet

Thirrje Bosnjes për t’iu siguruar strehim migrantëve


Një migrant qëndron pranë një gardhi në kampin Lipa të Bosnjes.
Një migrant qëndron pranë një gardhi në kampin Lipa të Bosnjes.

Katër organizata të të drejtave të njeriut bënë thirrje për mbështetjen e menjëhershme të afro 2,500 refugjatëve, migrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët mbeten pa strehë dhe në kushte të vështira dimri në Bosnje e Hercegovinë.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Amnesty International, Jesuit Refugee Service Europe, Medecins du Monde Belgique dhe Refugee Rights Europe thanë se autoritetet e Bosnjes nuk kanë arritur të sigurojnë strehim të duhur për migrantët dhe azilkërkuesit, ndërsa Bashkimi Evropian ka shpenzuar dhjetëra miliona euro ndihma.

Organizatat thanë se në veriperëndim të Bosnjes, rreth 900 njerëz janë duke fjetur nën qiell të hapur, në kampin e improvizuar Lipa, për më shumë se tri javë.

Kampi i tendave u ngrit vitin e kaluar si një strehim i përkohshëm gjatë pandemisë së koronavirusit dhe u mbyll më 23 dhjetor.

Një zjarr që shpërtheu gjatë evakuimit të banorëve, shkatërroi pjesën më të madhe të kampit.

“Për shkak të paaftësisë së politikanëve të të gjitha niveleve të qeverisjes për të arritur marrëveshje, përpjekjet për t’i zhvendosur banorët e Lipës në qendrat e gatshme për dimër, diku tjetër në [Bosnje], kanë dështuar”, thuhet në deklaratën e katër organizatave të të drejtave të njeriut.

Sipas deklaratës, njëzet çadra me ngrohje u instaluan në kamp gjatë fundjavës së kaluar, por më shumë se 350 njerëz mbeten në strehimore të improvizuara, pa qasje në ujë të rrjedhshëm, kanalizim ose ngrohje.

Shumica e atyre në kamp janë nga Pakistani dhe Afganistani.

Agjencitë e BE-së kanë dhënë mbi 88 milionë euro ndihmë për Bosnjen gjatë tre vjetëve të kaluar, për t’i adresuar nevojat e menjëhershme të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve, si dhe për t’i forcuar kapacitetet e menaxhimit.

Pavarësisht kësaj, Bosnja “nuk ka arritur të marrë përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e objekteve ekzistuese ose të sigurojë mbështetje minimale për ata që janë të bllokuar në vend”, tha Amnesty International në një deklaratë të veçantë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG