Kompania farmaceutike gjermane BioNTech, e cila bashkë me kompaninë amerikane të barnave, Pfizer, kanë krijuar vaksinë kundër sëmundjes COVID-19, tha se planifikon të prodhojë dy miliardë doza të vaksinës këtë vit.
Parashikimi i mëparshëm ka qenë për 1.3 miliard doza, por së shpejti do të futet në përdorim edhe një linjë e re prodhimi.
“Ne tani besojmë se mund të ofrojmë rreth dy miliardë doza deri në fund të vitit 2021”, tha kompania gjatë një prezantimi të hënën.
Shifra e re përfshin edhe udhëzimet e përditësuara për nxjerrjen e gjashtë dozave nga secila shishe e vaksinës, në vend të pesë dozave të deklaruara fillimisht në etiketë.
BioNTech tha se struktura e re e prodhimit që do të hapet në muajin shkurt në Marburg të Gjermanisë, do të rrisë kapacitetin vjetor me 750 milionë doza në vit.
Për të qenë efektive, vaksina Pfizer/BioNTech duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.
Kjo vaksinë është miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të muajit të kaluar dhe është po ashtu në përdorim në Britani, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Një zëdhënëse e BioNTech-ut tha se 50 milionë doza të vaksinës janë prodhuar në fund të vitit 2020, siç edhe ka qenë e planifikuar më parë, porse dërgesat janë lënë në pritje, derisa janë bërë porosi specifike, për të shmangur kohën e tepërt të magazinimit.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për ritëm të ngadalshëm të vaksinimit.
Video: