Ndërlidhjet

Reshjet mbyllin qarkullimin në disa pjesë të Kosovës


Pamje nga vërshimet në Kosovë.
Pamje nga vërshimet në Kosovë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se do të evidentohen dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet, në mënyrë që të kompensohen qytetarët.

Në një konferencë për media, të hënën Hoti u pyet nëse do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas vërshimeve në pjesë të ndryshme të Kosovës.

"Po mundohemi të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar së pari jetën e qytetarëve, për t’i evituar dëmet madhore në infrastrukturë, në mënyrë që të mos mbesin lokacionet e bllokuara për qarkullim normal. Përmes shtabeve lokale, do të evidentojmë së shpejti dëmet që janë bërë edhe në pronën publike dhe private. Dëmet që janë bërë në prona private do t’i shohim maksimalisht, në përputhje me kapacitetet që kemi, edhe komisionet përkatëse, që të kompensojnë, në veçanti ato familje që janë në kushte pak më të vështira të jetesës", tha Hoti.

Pas reshjeve të shiut dhe borës në disa pjesë të Kosovës, gjatë fundjavës ka pasur vërshime. Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik pritet që edhe gjatë ditëve në vazhdim të ketë reshje në tërë vendin.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes së makinave për shkak të kushteve atmosferike.

Në njoftimin e kësaj ministrie është thënë se në rajonin e Gjilanit, është bllokuar rruga në drejtimin Kamenicë-Strezovc, derisa në rrugën Brezovicë - Sharr ka dy pengesa, në të cilat është intervenuar nga ekipet e mirëmbajtjes.

Në pjesën dalëse të autostradës Ibrahim Rugova në Mazgit është thënë se ka deformim të rrugës.

Përveç tyre, kjo ministri ka njoftuar se në Prishtinë afër rrethrrotullimit në QMI ka grumbullim të ujit, andaj është mbyllur qarkullimi në këtë rrugë, përkatësisht nga rrethrrotullimi mbi hekurudhë deri në rrethrrotullim të QMI-së.

Më herët gjatë së hënës, kryeministri në detyrë, Hoti ka vizituar Qendrën e Situatave për t’u njoftuar si është gjendja nëpër komunat e prekura më së shumti nga reshjet e shiut dhe borës, që kanë shkaktuar vërshime në disa rajone.

Përveç takimit me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, kryeministri në detyrë Hoti është thënë të jetë në komunikim edhe me komandatin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse ka nevojë.

“Institucionet e Kosovës janë duke përcjell nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, është thënë në komunikatën e kryeministrisë.

Një ditë më parë, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sasitë e reshjeve janë më intensive në rajonin e Dukagjinit.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, është thënë në njoftim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG