Ndërlidhjet

SHBA-ja do të shpallë rebelët huthi si terroristë


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Shtetet e Bashkuara do të shpallin rebelët huthi të Jemenit si grup terrorist, pavarësisht shqetësimeve nga grupet e ndihmës se një gjë e tillë do të ndikojë në furnizimet humanitare në shtetin e shkatërruar nga lufta, i cili është në prag të urisë së përhapur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka bërë të ditur këtë vendim më 10 janar, duke thënë se rebelët huthi kanë kryer fushatë ushtarake që ka “lënë të vdekur shumë persona, e cila vazhdon të destabilizojë rajonin dhe u mohon banorëve të Jemenit që të kenë zgjidhje paqësore në konfliktin e shtetit të tyre”.

“Shpallja pritet të mbajë përgjegjës Ansar Allah për veprimet e tij terroriste, duke përfshirë sulmet kufitare që kërcënojnë popullsinë civile, infrastrukturën dhe dërgesat komerciale”, ka thënë Pompeo në një deklarate, duke përmendur emrin zyrtar të lëvizjes huthi.

Ky vendim vjen vetëm 10 ditë para se presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden të nisë udhëheqësinë, çka potencialisht mund t’ia kufizojë administratës së ardhshme demokrate diplomacinë me Iranin, i cili ka lidhje me rebelët huthi.

Grupet e ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpallja e rebelëve huthi si terroristë do të rrezikojë ndihmat humanitare për 80 për qind të banorëve të Jemenit.

Jemeni, shteti më i varfër në botën arabe është përfshirë në luftë civile nga viti 2015.

Si pasojë e këtij konflikti kanë vdekur më shumë se 100,000 persona, infrastruktura është shkatërruar, dhe është krijuar kriza më e rëndë humanitare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG