Ndërlidhjet

Dollia e natës së Vitit të Ri me shpresën te vaksinat


Një zbukurim për Vitin e Ri.
Një zbukurim për Vitin e Ri.

Bota po përgatitet të lërë pas një vit të zymtë dhe të mirëpresë Vitin e Ri me shpresën se vaksinat kundër COVID-19 do të trasojnë një rrugëdalje nga pandemia.

Nata e Vitit të Ri një vit më parë shënon datën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u informua për herë të parë për një sëmundje misterioze, e ngjashme me pneumoninë e zbuluar në Vuhan të Kinës, e cila pak më vonë u përcaktua të ishte COVID-19.

"Që nga ai moment, pandemia COVID-19 ka marrë kaq shumë jetë dhe ka shkaktuar përçarje masive në familje, shoqëri dhe ekonomi në të gjithë botën", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një mesazh të Vitit të Ri.

"Por, kjo gjithashtu nxiti përgjigjen më të shpejtë dhe më të gjerë ndaj një emergjence globale shëndetësore në historinë njerëzore", tha ai.

Që kur virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar dhe deri më tani janë regjistruar rreth 83 milionë raste të konfirmuara në të gjithë botën dhe 1.8 milion vdekje. Të dyja shifrat besohet të jenë më të larta.

Derisa vitin e kaluar njerëzit u mblodhën dhe festuan, kësaj radhe organizimet e Vitit të Ri në të gjithë botën janë anuluar ose kufizuar për shkak të shqetësimeve që grumbullimet mund të shkaktojnë përhapjen e koronavirusit.

Shqetësimi është shtuar për shkak të paraqitjes së një varianti të ri të koronavirusit, fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, por së fundmi i zbuluar edhe në disa vende tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Indinë.

Mënyra e përhapjes së variantit të ri tregon se ai mund të ketë tashmë një prani të lartë në komunitete.

Pasi varianti i ri u zbulua në Shtetet e Bashkuara këtë javë, shkencëtari i lartë i qeverisë, Anthony Fauci, tha më 31 dhjetor se "nuk ishte i befasuar" nga përhapja e variantit.

Mutacionet e virusit janë normale dhe shkencëtarët thonë se ky variant nuk besohet të jetë më vdekjeprurës ose të shkaktojë infeksione më të rënda. Gjithashtu nuk pritet të jetë rezistent ndaj vaksinave kundër COVID-19.

"Duket se ky mutacion i veçantë e bën virusin më efektiv në transmetimin nga një person te tjetri", tha Fauci.

Derisa koronavirusi po përhapet me shpejtësi në të gjithë globin, është duke u zhvilluar gara për prodhimin dhe administrimin e vaksinave.

Fauci tha se ai pret që Shtetet e Bashkuara të fitojnë mjaft imunitet kolektiv ndaj COVID-19 përmes vaksinimeve për të arritur "një farë normaliteti" deri në vjeshtën e vitit 2021, me gjithë pengesat e hershme gjatë shpërndarjes së vaksinave.

Më 31 dhjetor Kina miratoi për përdorim të gjerë publik vaksinën e saj kundër COVID-19 të zhvilluar nga prodhuesi i ilaçeve shtetërore Sinopharm.

Derisa Kina ka qenë më e ngadaltë se disa vende të tjera në miratimin e vaksinave COVID-19, ajo ka injektuar qytetarët e saj për muaj me tre shkrepje të ndryshme që ende po kalojnë provat e fazës së tretë.

Zhvillimet nga Kina u raportuan pasi rregullatorët britanikë më 30 dhjetor autorizuan vaksinën e re të AstraZeneca/Universiteti Oxford për përdorim në atë vend.

Para kësaj, në Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende perëndimore janë miratuar vaksinat e kompanive Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Disa orë pas Britanisë së Madhe, Argjentina u bë vendi i dytë që miratoi vaksinën e AstraZeneca/Oxford, dhe shpejt u ndoq nga El Salvadori. Meksika, gjithashtu, tha se së shpejti do ta miratojë atë.

Në Gjermani, kancelarja, Angela Merkel, do të përdorë fjalimin e saj tradicional të ditës së Vitit të Ri për të bërë thirrje për kohezion shoqëror kundër pandemisë.

"Do të varet nga të gjithë ne se si do ta kalojmë këtë pandemi", tha Merkel, sipas një pjesë të fjalimit të parë nga agjencia DPA.

Ekziston shpresa derisa njerëzit e parë u vaksinuan në të gjithë Evropën dhe botën, ka thënë Merkel.

Rusia filloi një fushatë të përgjithshme vaksinimi duke përdorur vaksinën e saj të prodhuar në vend Sputnik V në fillim të dhjetorit. Ajo ka ngritur shqetësime nga shkencëtarët brenda dhe jashtë vendit për sigurinë dhe efikasitetin pas mungesës së provave më të gjera klinike dhe publikimit të rezultateve shkencore.

Sidoqoftë, Algjeria dhe Bolivia u bënë vendet e fundit që njoftuan se do të shpërndanin vaksinën ruse.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG