Ndërlidhjet

Vuçiq aktivizon “Rrjedhën turke"


Ndërtimi i gazsjellësit "Rrjedha turke" në Vojvodinë të Serbisë më 2019.
Ndërtimi i gazsjellësit "Rrjedha turke" në Vojvodinë të Serbisë më 2019.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten vuri në funksion një pjesë të gazsjellësit, që kalon përmes territorit të Serbisë, dhe i cili do ta lidhë atë me gazsjellësin “Rrjedha turke”. Kjo po ndodh pas më shumë se një viti e gjysmë prej kur ka nisur punimet për ndërtimin e tij.

Vuçiq, në vendin Gospogjinci të Vojvodinës deklaroi të premten se ky seksion i gazsjellësit është i një rëndësie të madhe për industrinë dhe përparimin e ekonomisë serbe.

Ai theksoi se Serbia do të furnizohet me gazin me një çmim deri në 155 dollarë, me kosto shumë më të ulëta të transportit.

Ai, gjithashtu, tha se gazi do të sillet në shumë komuna ku nuk është aktualisht në dispozicion dhe se kjo do t'i bëjë ato vende më tërheqëse për investitorët.

"Serbia, me mbështetjen e partnerëve rusë, arriti të sigurojë furnizimin me gaz për territoret e saj," tha Vuçiq.

Hapjen e gazsjellësit presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ka paralajmëruar më 25 dhjetor.

“Ka kaluar gazi provues. Nuk kemi bërë shumë zhurmë lidhur me këtë, por më 30 dhjetor do të nisë gjithçka”, ka thënë Vuçiq.

Ai më parë kishte deklaruar se pas futjes në punë të “Rrjedhës turke”, mbetet të punohet më tutje në gazifikimin dytësor, gjegjësisht që gazi të dërgohet deri në Vranjë, në jug të Serbisë, në Valevë, në pjesën qendrore dhe perëndimore, si dhe te pikat në lindje dhe jugperëndim të vendit.

Kush e ndërtoi gazsjellësin në Serbi?

Gazsjellësin në territorin e Serbisë e ka ndërtuar ndërmarrja e përzier ruso-serbe “Gastrans”, në të cilën pakon shumicë prej 51 për qind e mban kompania shtetërore ruse “Gasprom”, ndërkaq 49 për qind të pakos e mban kompania “Serbijagas”, e cila është 100 për qind nën pronësinë e shtetit të Serbisë.

Foto gjatë punimeve për ndërtimin e "Rrjedhës Turke" në Vojvodinë.
Foto gjatë punimeve për ndërtimin e "Rrjedhës Turke" në Vojvodinë.

Mjetet për ndërtimin e gazsjellësit , në përputhje me pjesën e pronësisë, Serbia i ka siguruar nga kredia e marrë nga bankat komerciale.

Te bankat është futur në borxh ndërmarrja publike “Srbijagas” dhe në rast se “Srbijagas” nuk do të mund t’i përmbushë obligimet financiare ndaj bankave – garanton shteti i Serbisë.

Projekti rus sjell në minimum transportin e gazit përmes Ukrainës

Projekti rus – gazsjellësi “Rrjedha turke” do të duhej që gjatë një viti të transportojë 31.5 miliardë metra kub të gazit nga Rusia, të cilin e prodhon gjiganti energjetik rus “Gasprom”. Gjysma e kësaj sasie, 15.75 miliardë metra kub, janë të rezervuara për përdorim nga Turqia, ndërkohë që gjysma tjetër do të shkojë tutje kah Evropa jugore dhe qendrore, ndër të tjera përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë.

Gazsjellësi “Rrjedha turke” është pjesë e ambicies afatgjate të Rusisë që ta sjellë në minimum transportin e gazit përmes Ukrainës, me ndërtimin e kaheve alternative, siç janë, përveç “Rrjedhës turke", edhe “Rrjedha veriore 1” dhe “Rrjedha veriore 2”.

Deri më tash, Rusia i ka furnizuar me gaz shtetet evropiane dhe Turqinë përmes rrjetit të gazsjellësit që shkon përgjatë Ukrainës, Moldavisë dhe Rumanisë. Përmes kësaj rruge, në vitin 2019, ajo ka eksportuar gati se 200 miliardë metra kub gaz.

Me ndërtimin e “Rrjedhës turke”, transportimi i gazit rus më nuk do të varet vetëm nga këto shtete, por do të ridrejtohet me gazsjellësin e ri të gjatë 930 kilometra, i cili prej Rusisë arrin në Turqi përmes gazsjellësit nën Detin e Zi.

Njëkohësisht, në këtë mënyrë Rusia do të “shmangë” Ukrainën, me të cilën ka kontest disavjeçar lidhur me territorin e Ukrainës. Rusia edhe më herët ka shfrytëzuar gazin si mekanizëm në marrëdhëniet me Ukrainën dhe në këtë mënyrë Moska, në disa raste, ka reduktuar furnizimet me gaz në drejtim të Kievit.

Alternativë për projektin e dështuar “Rrjedha e jugut”

“Rrjedha turke” është alternativë e “Rrjedhës së jugut” në Serbi, nga ndërtimi i së cilës Rusia hoqi dorë në fund të vitit 2014, për shkak se nuk ishte në gjendje të përmbushë kushtet e Bashkimit Evropian, i cili, ndër të tjera, përshkruan që një kompani, në atë rast “Gaspromi” rus, nuk mund të jetë pronar edhe i gazit e po ashtu edhe i gazsjellësit.

Në vitin 2008, Serbia me Rusinë nënshkruan kontratën për “Rrjedhën e jugut”, por përpjekja për ndërtimin e tij dështoi, sepse Bashkimi Evropian nuk e mbështeti për shkak të mosharmonizimit me ligjet evropiane.

Kundërshtimet nga BE-ja edhe për projektin e ri

As gazsjellësi i ri, i cili kalon përmes Serbisë, nuk është në harmoni me rregulloret e Bashkimit Evropian, gjë për të cilën u paralajmërua vazhdimisht nga Komuniteti i Energjisë, organi rregullator i BE-së në fushën e energjisë.

Një nga vërejtjet kyçe kishte të bënte me atë që në nuk do të mundësohej konkurrenca ndaj gazsjellësit të ri, gjegjësisht që përmes gazsjellësit të rrjedhë edhe ndonjë gaz tjetër dhe jo vetëm ai rus, nga çka do të kishin dobi të drejtpërdrejtë konsumatorët nga Serbia sepse konkurrenca do të çonte tek ulja e çmimit të kësaj energjie.

Ndërtimi i gazsjellësit të ri, në mënyrë shtesë do të fuqizonte pozitën monopoliste të “Gazpromit” rus dhe ndërmarrjes publike “Serbijagas” në tregun e gazit të Serbisë, së paku për 20 vjetët e ardhshëm, ka theksuar zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Dirk Buschle, me rastin e raportit vjetor të këtij trupi për zbatimin e rregullave të BE-së, në konferencën online për media, më 23 nëntor.

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Janez Kopaç, në një konferencë për media të mbajtur më 17 dhjetor 2020, vuri në dukje se infrastruktura ekzistuese e gazit në Serbi është problem sepse është e “monopolizuar” dhe nuk përdoret në mënyrë efikase dhe të jetë në dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit e tregut.

Ai vuri në dukje se vetëm 15 për qind e interkoneksionit të gazit midis Serbisë dhe Hungarisë pranë Horgoshit përdoret, sepse "Serbijagas" mban monopolin dhe nuk lejon ofertuesit e tjerë që të përdorin gazsjellësin,përveç “Gaspromit” rus.

“Ka hapësirë krejtësisht të mjaftueshme që të sillet cilido gaz që dëshironi – nga Norvegjia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga terminali i gazit të rrjedhshëm natyror (LNG), nga Holanda, nga Ukraina. Ka mjaft gaz për rreth”, theksoi Kopaç.

Serbia në tërësi e varur nga gazi rus

Të dhënat nga raporti vjetor për punën e Agjencisë për Energjetikë të Serbisë, tregojnë që Serbia, në vitin 2019, nga prodhimi i saj ka arritur të mbulojë vetëm 12.6 për qind të nevojave, ndërsa të gjitha sasitë tjera të gazit, nga Serbia, u importuan ekskluzivisht nga Federata Ruse.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG