Bashkimi Evropian bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm” të një gazetareje kineze, e cila është dënuar me burgim, pasi ka dokumentuar fazat e hershme të pandemisë së koronavirusit në qytetin e Vuhanit.
Zhang Zhan është dënuar të hënën me katër vjet burgim, pasi është shpallur fajtore për “provokimin e telasheve” - një akuzë kjo që shpesh ngrihet kundër aktivistëve në Kinë.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, BE-ja shprehu shqetësimin e saj në rritje për “kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të qasjes në informacion, për frikësimin dhe mbikëqyrjen e gazetarëve, si dhe për ndalimet, gjykimet dhe dënimet e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të intelektualëve në Kinë”.
Po sipas deklaratës, burime “të besueshme” kanë thënë se Zhang është torturuar në burg.
Zhang, e cila është arrestuar në maj, është një prej disa gazetarëve që janë përballur me probleme, për shkak të raportimit për situatën në Vuhan - qytetin e parë kinez ku ka shpërthyer koronavirusi.
Zhang, 37 vjeçe, ka qenë në grevë urie disa muaj dhe avokatët e saj thonë se gjendja e saj shëndetësore është e dobët.
Zhang është arrestuar edhe në vitin 2019, pasi ka shprehur mbështetje për aktivistët pro demokracisë në Hong Kong.