Ndërlidhjet

Buxheti përplas pushtetin me opozitën


Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pushtetit dhe opozitës, po debatojnë sa i përket Projektligjit për buxhetin për vitin 2021.

Seanca e jashtëzakonshme – që aktualisht po zhvillohet – është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me qëllim që të miratohet buxheti përpara se të shpërndahet kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, tha se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Sipas Kushtetueses, presidenti i Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kërkoi nga deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2021, për shkak të situatës me të cilën po përballet Kosova nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Ai tha se miratimi i projektbuxhetit, është hap i vogël për “tejkalimin e krizave”.

“Vota për buxhetin emergjent sot është një hap i vogël për tejkalimin e krizave. Ne jemi të vetëdijshëm që në klimën që është krijuar, vështirë që do të ketë fitues edhe humbës edhe pas zgjedhjeve. Vota kundër buxhetit sot është votë kundër shtetit të Kosovës. Vota kundër buxhetit nuk është votë kundër Qeverisë Hoti sepse për të e ka dhënë verdiktin Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Gashi.

Por, Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për buxhet dhe transfere, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për zgjatjen e ndarjeve buxhetore deri në tre muaj.

Ndarjet buxhetore për tre muaj bëhen kur Ligji për buxhetin nuk arrin të miratohet brenda afateve ligjore, përkatësisht deri më 31 dhjetor.

“Kuvendi mund të zgjasë ndarjet buxhetore deri në tre muaj. Sipas ligjit, muaji janar është i mbuluar me automatizëm. Ne mund të vendosim që të kemi zgjatjen edhe për muajin shkurt edhe mars”, tha Murati.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ky ligj nuk mund të zbatohet më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG