Ndërlidhjet

Zemaj: Kosova ka aplikuar për vaksinë në COVAX


Fjala "COVID-19" pasqyrohet në një pikë që del nga një shirinë.
Fjala "COVID-19" pasqyrohet në një pikë që del nga një shirinë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, tha se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Zemaj tha se dozat fillimisht do të jenë të mjaftueshme për 20 për qind të popullsisë.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.

Zemaj tha se kanë filluar kontaktet dhe negociatat edhe me kompani të tjera, por nuk e saktësoi se cilat janë ato.

“Duke ruajtur konfidencialitetin e kërkuar, nuk kemi mundur që në ketë fazë t'i paraqesim format ekzakte të negocimit dhe rrugëve të sigurimit të kësaj vaksine“, tha Zemaj.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila para disa ditësh ka arritur në Serbi.

Të shtunën, Qeveria në detyrë e Kosovës tha se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.

Zemaj foli edhe për punën gjashtëmuajshe të Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti në menaxhim të pandemisë.

Ai tha se nga pjesa e alokuar buxhetore, që ishte rreth 56 milionë euro, janë shpenzuar mbi 45 milionë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG