Ndërlidhjet

Nisma Socialdemokrate: Fillimi i shkurtit, periudha ideale për zgjedhjet


Votime në Kosovë, fotografi nga arkivi.
Votime në Kosovë, fotografi nga arkivi.

Përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala tha se periudha ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, do të ishte fillimi i muajit shkurt, i vitit 2021.

Shala zhvilloi një takim konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ku tha se gjatë takimit ka shprehur qëndrimin se buxheti për vitin 2021 duhet të miratohet para se kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, për të dytën ditë me radhë po mban takime konsultative me përfaqësuesit e partive politike, lidhur me datën e zgjedhjeve, pasi Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor, tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala po ashtu tha se organet e partisë janë duke diskutuar lidhur me formën se si do të garojnë në zgjedhje.

“Organet e Nismës janë duke diskutuar. Qëndrimi i udhëheqjes së shumicës së Nismës është që Nisma të garojë e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni edhe me ndonjë subjekt tjetër politik”, tha Shala.

Partitë politike kanë shprehur qëndrimin se pasi Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin e plotë, zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt. Si periudhë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, janë përmendur fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është thënë se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pasi të shpallen nga presidenti i vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG