Ndërlidhjet

Petkoviq: Serbia me aktivitete diplomatike për çështjen e energjisë në veri


Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia për herë të pestë ka paraqitur kërkesën për regjistrim dhe licencim të dy ndërmarrjeve serbe, për furnizimin me energji elektrike në veri të Kosovës.

“Për këtë arsyeja Serbia filloi aktivitete diplomatike në bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që ne të ishim në gjendje të vazhdonim furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.

Përmes një komunikate për media, Petkoviq thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ua ka dorëzuar asgjë shqiptarëve “por, Serbia po bën gjithçka për të siguruar një furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike në veri të Kosovës”.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë nënshkruar marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), ka thënë me 15 dhjetor për Radion Evropa e Lirë se pala serbe çdo herë në Bruksel ka pranuar se do të formojë një kompani lokale me kushtet dhe ligjet e Kosovës, por një kompani e tillë nuk ka aplikuar asnjëherë të pajiset me leje.

“Atje (në veri) veprohet në mënyrë ilegale. Dikush i mbledh ato mjete të shpenzimit të energjisë elektrike, por tani duhet të veprojnë organet e shtetit, se cila është ajo kompani dhe si po funksionon ajo pjesë”, thekson Zariqi.

Nga 14 dhjetor, KOSTT operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike. Operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.

Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG