Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.
"Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës", thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën në mbrëmje e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se konstatoi se presidenti i Republikës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. Ky vendim vjen, pasi vota e Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.
Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë "nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës", thuhet në vendim.
"Marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas Kushtetutës, atëherë presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 dhjetor.
Kërkesa në Kushtetuese u dërgua nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka kërkuar që të shpallet i pavlefshëm votimi i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Më 3 qershor, për zgjedhjen e qeverisë kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, vendim i cili daton më 20 gusht, 2020, ku Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.