Komisioni Evropian dha miratimin të hënën për përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të zhvilluar së bashku nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech.
Vaksinimet e para në 27 vendet e BE-së pritet të fillojnë brenda një jave.
Më herët, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e miratoi vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer-BioNTech.
"Është një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër kësaj pandemie që po shkakton vuajtje dhe vështirësi", tha shefi i EMA-s, Emer Cooke, në një konferencë për media.
Fillimisht data e shqyrtimit për miratimin e vaksinës ka qenë 29 dhjetori, por Agjencia e zhvendosi vendimarrjen më herët pasi ishte nën presion nga qeveritë e BE-së.
Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh tjera tashme e kanë miratuar përdorimin e kësaj vaksine.
Agjencia Evropiane e Barnave do të vendosë edhe për vaksinën e kompanisë Moderna, më 6 janar. Vaksina Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë 95 për qind efektive në fazën e fundit të testimit.
Vaksina Moderna, e cila përdor teknologji të ngjashme, është 94 për qind efektive.
Të dyja vaksinat duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.