Ndërlidhjet

Drejtori i AKI-së ende nuk jep dorëheqje


Kreshnik Gashi, shef i AKI-së.
Kreshnik Gashi, shef i AKI-së.

Kreshnik Gashi ende nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti për të ‘liruar’ pozitën e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga AKI-ja nëse drejtori i këtij institucioni do të pranojë kërkesën për lirim të detyrës, por nuk ka marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi.

Sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet bashkërisht nga presidenti dhe kryeministri.

Në njoftimin e 17 dhjetorit, thuhet se kryeministri Avdullah Hoti i ka kërkuar udhëheqësit të Intelegjencës që të ‘lirojë’ pozitën.

Në Presidencë nuk u përgjigjën se a do të ketë vendim shtesë për shkarkimin e kreut të AKI-së, nëse ai nuk e liron detyrën, siç i është kërkuar nga kryeministri, mbështetur edhe nga zyra e Presidentit.

As në Qeverinë e Kosovës nuk japin detaje shtesë për arsyet e kësaj kërkese, por zyrtarë të lartë kanë thënë se ‘arsyeja mund të gjendet lehtësisht, te ligji për AKI-në, në pjesën për aktivitetet që nuk i lejohen AKI-së”.

E në këtë ligj, në nenin 3, ku radhiten “Funksionet e ndaluara të AKI-së", përcaktohet se AKI nuk ka funksione ekzekutive. Në këtë mënyrë, AKI nuk ka: të drejtën të përdorë forcë direkte apo indirekte.

Ky nen ndërlidhet me veprimin tashmë të konfirmuar në Presidencë, ku zyrtarë të AKI-së kanë tentuar të hapin kasafortën e sigurisë, e cila përmban dokumente konfidenciale për presidentin. Ngjarja ka ndodhur më 6 nëntor, një ditë pasi Vjosa Osmani ka marrë detyrën e ushtrueses së detyrës, pasi ish-presidenti Hashim Thaçi, dha dorëheqje dhe udhëtoi për në Hagë ku është duke u përballur me aktakuzën për krime lufte.

Në një debat televiziv të enjten, ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, që mban pozitën e sekretarit të zyrës së Presidentit, ka konfirmuar se AKI-ja e ka ndërmarrë këtë veprim, sepse ‘kjo kasafortë është në pronësi të Agjencisë’, dhe se një gjë e tillë është bërë në prani të Faton Pecit, shefit të stafit të ushtrueses së detyrës së presidentit të Republikës.

Por, Faton Peci e ka mohuar një gjë të tillë, pasi sipas tij, Gashi e kishte njoftuar atë se ‘në Presidencë do të bëhej një bastisje nga EULEX-i”. Por kjo nuk ndodhi. Posashtu, Osmani nuk lejoi hapjën e kasafortës.

E gjithë kjo ka rezultuar me kërkesën e kryeministrit Hoti, e cila është mbështetur edhe nga ushtruesja e detyres së presidentit.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, ka pezulluar me 15 dhjetor nga detyra, sekretarin e zyrës së presidenit Driton Gashin, me dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Shkarkimet e shpeshta, rrezik për sigurinë

Shkarkimet në AKI kanë qenë të shpeshta në 3 vjetët e fundit, ku nga detyra janë liruar tre drejtorë të institucionit më të lartë të inteligjencës në vend.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet e shpeshta të udhëheqësve të AKI-së kanë pasoja për sigurinë dhe se emërimet politike mund të shkaktojnë përçarje.

“Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve të AKI-së shkakton edhe huti, por edhe pasiguri, sepse, pasi posa ia fillon një individ i caktuar të krijojë diçka brenda institucionit, vjen një tjetër forcë politike, e vendos njeriun e vet”.

“Kjo është e dëmshme. Unë po flas për institucionin, jo për individin. Një nga problemet është që edhe mund të sjellë përçarje brenda personelit, pakënaqësi, përplasje profesionale, pasi ndonjë nga të emëruarit mund të mos jetë në nivelin profesional apo në rrjedhë të operacioneve dhe mund të ketë deformitete të tilla”, vlerëson Musliu.

Ai e sheh me shqetësim edhe zbehjen e kredibilitetit të AKI-së, institucionit i cili, sipas tij, duhet të ofrojë siguri kombëtare.

“Diskutimet e tilla në media, e zbehin kredibilitetin e institucioneve tona të sigurisë. Humbja e kredibilitetit shkakton edhe pasoja të tjera, që është edhe humbja e burimeve të informacionit. Kjo humbje e pamundëson qasjen aty ku zhvillohen veprimtaritë armiqësore, kriminale që do të thotë se mund të ketë dëme të mëdha për shoqërinë”, thekson Musliu.

Kreshnik Gashi ishte emëruar në pozitën e drejtorit të AKI-së, më 25 nëntor të vitit të kaluar, nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.

Paraprakisht, Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. Ai është emëruar pas dorëheqjes së Shpend Maxhunit më 2019.

Më 2017 edhe Agron Selimaj ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Më 2015 dorëheqje ka dhënë edhe Bashkim Smakaj.

Ndryshe, AKI-ja është agjenci për siguri dhe inteligjencë e cila, sipas ueb-sajtit të agjencisë, “analizon dhe shpërndan produkte inteligjente në mënyrë të shpejtë, të ligjshme dhe të përgjegjshme te presidenti, kryeministri dhe institucionet tjera kompetente”. Drejtori i AKI-së, i cili emërohet për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi, i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG