Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka hedhur poshtë hetimet e përbashkëta në mes të grupit hulumtues Bellingcat dhe disa mediave tjera, që tregojnë se helmimi i fundit i liderit opozitar, Aleksei Navalny është kryer nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.
“Të gjitha këto lajme janë qesharake për t’u lexuar. Mirëpo mënyra sesi janë duke u prezantuar tregon vetëm për një gjë: që partnerët tanë perëndimorë kanë mungesë të standardeve etike”, ka thënë Lavrov përgjatë një bisede në kryeqytetin kroat, Zagreb më 16 dhjetor.
Në muajin shtator, në disa laboratorë evropianë është vërtetuar se Navalny 44-vjeçar është helmuar pasi është sëmurë në një udhëtim nga Siberi në Moskë, në muajin gusht.
Ai më vonë është dërguar me aeroplan për trajtim në Berlin.
Në një hulumtim të përbashkët të kryer nga Bellingcat dhe media tjera, të publikuar më 14 dhjetor, është thënë se ekspertët për armë kimike të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, kanë përcjellë Navalnyn për vite të tëra, duke përfshirë ditën kur është helmuar.
Duke cituar “të dhëna voluminoze në formë të të dhënave për telekomunikime dhe të atyre për udhëtime”, në hetimet e kryera nga mediat si Insider, Der Spiegel dhe CNN, është thënë se helmimi i Navalnyt në gusht të vitit 2020 duket se kanë qenë punë e menduar nga të paktën viti 2017.
Në hetime janë paraqitur emrat dhe fotografitë e njerëzve që dyshohet se kanë helmuar Navalnyn, duke thënë se kanë qenë specialistë në toksina dhe agjentë nervorë, duke përfshirë helmin e periudhës sovjetike, Noviçok, për të cilin shtetet evropiane kanë thënë se është përdorur kundër Navalnyt.
Në hetime nuk paraqitet ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë në mes të Navalnyt dhe agjentëve.
Moska ka mohuar përfshirjen në sulmin ndaj kritikut të Kremlinit.
Navalny e ka përsëritur disa herë se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar sulmin ndaj tij.
Lideri opozitar ka thënë se do të kthehet në Rusi pas të shërohet plotësisht në Gjermani.