Pas disa dështimeve të Presidencës gjermane të BE-së që të miratojë një varg vendimesh për zgjerimin, sot, megjithatë, pritet të miratohen së paku Konkluzat e Këshillit Evropian, kushtuar këtij procesi.
Por, për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë, nuk pritet të kalojë vendimi për miratimin e Kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut.
Si pasojë e kësaj, disa shtete kanë kundërshtuar që të miratohet korniza e ngjashme edhe me Shqipërinë.
Rrjedhimisht, sot pritet vetëm miratimi me procedurë të shkruar i Konkluzave kushtuar zgjerimit të BE-së dhe procesit të stabilizim-asociimit.
Në to pritet të përseritet thirrja për rritjen e përpjekjeve në procesin e reformave në rajon, sidomos në reformat në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në reformat e nevojshme për zhvillimin ekonomik.
BE-ja, përmes këtyre Konkluzave, pritet t’iu bëjë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit që t’i zgjidhin mospajtimet e tyre bilaterale me fqinjët, përfshirë kontestet rreth kufijve.
Një thirrje e veçantë do të bëhet për përmbajtje nga deklaratat nxitëse dhe për më shumë punë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit.
BE-ja, përmes këtyre Konkluzave, do të përsërisë kundërshtimin ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës, si dhe ftesën që të dënohen të gjitha krimet e luftës, pa marrë parasysh se nga cila palë vijnë kryesit e krimeve të tilla.
Edhe miratimi i këtyre Konkluzave ka qenë i bllokuar për shkak se Bullgaria kërkonte që në to të kritikohet Maqedonia e Veriut për atë që Bullgaria e cilëson si “keqinterpretim të historisë”.
Konkluzat e tilla në Këshillin e BE-së miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.
Bullgaria, në muajin nëntor, e ka penguar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke thënë se dallimet për gjuhën dhe identitetin nuk janë kaluar.
Bullgaria dëshiron që Shkupi të pranojë se identiteti dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Sofja, në mënyrë specifike, kërkon që gjuha e folur nga maqedonasit të quhet “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Shkupi këmbëngul se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore.
Bullgaria gjithashtu kërkon që fqinji i saj të heqë dorë nga pretendimet se në Bullgari ekziston një pakicë e veçantë maqedonase.