Ndërlidhjet

Hakerët rusë dyshohen edhe për një tjetër sulm në SHBA


Ilustrim.
Ilustrim.

Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare është shtuar në listën në rritje të shënjestrave për sulme të mëdha kibernetike nga hakerë të dyshuar rusë, është thënë në raportimet e mediave amerikane.

Në një deklaratë të këtij Departamenti nuk janë konfirmuar këto raportime, mirëpo i njëjti ka thënë se “është i vetëdijshëm për shkeljet kibernetike në qeverinë federale dhe është duke punuar ngushtë me partnerët në sektorin publik dhe atë privat për përgjigjje federale”.

Sulmet e para kibernetike, që janë bërë të ditura më 13 dhjetor, kanë goditur Departamentin amerikan të Thesarit dhe Departamentin amerikan të Tregtisë.

Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare është kthyer në departamentin e tretë që përfshihet në sulm, sipas mediave, Washington Post dhe Reuters, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.

Ky Departament është përgjegjës për siguri kufitare dhe mbrojtje të shtetit nga sulmet online. Ai po ashtu është duke luajtur rol të rëndësishëm për shpërndarje të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Adresat elektronike të dërguara nga zyrtarët në këtë Departament janë vëzhguar nga hakerët në kuadër të një serie të shkeljeve të sofistikuara, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se hakerë të Qeverisë ruse besohet se qëndrojnë mbrapa sulmeve kibernetike, kanë raportuar Reuters dhe Washington Post, duke cituar disa burime të paidentifikuara.

Ambasada ruse në Uashington ka mohuar përfshirjen, duke i cilësuar akuzat “të pabaza”.

“Rusia nuk kryen operacione sulmuese në fushën kibernetike”, ka thënë ambasada ruse përmes një deklarate në faqen e saj në internet.

“Aktivitetet e dëmshme në hapësirën informative janë në kundërshtim me parimet e politikës së jashtme ruse, interesat kombëtare dhe qëndrimet tona për marrëdhënie ndërshtetërore”, është thënë në deklaratë.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Ullyot, ka thënë përmes një deklarate më 14 dhjetor se ky trup është duke punuar nga afër me Agjencinë për Siguri Kibernetike dhe Infrastrukturë, Byronë Federale të Hetimeve (FBI) dhe departamentet e prekura, bashkë me agjencitë tjera “për të koordinuar një rimëkëmbje qeveritare dhe përgjigjje ndaj shkeljeve të fundit”.

Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Infrastrukturë dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI) është thënë se janë duke kryer hetime.

Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Infrastrukturë, ka urdhëruar agjencitë federale që menjëherë të ndalojnë përdorimin e produkteve teknologjike të prodhuara nga kompania, SolarWinds.


SolarWinds ka pranuar se hakerët nga “një shtet i jashtëm” kanë vendosur kode të dëmshme në përditësimet e softuerëve në periudhën mars-qershor të këtij viti.

Kjo kompani ka thënë se rreth 18,000 konsumatorë të saj kanë shkarkuar përditësimet e komprometuara, të cilat iu mundësojnë hakerëve të kryejnë spiunime pa u vërejtur.

Softueri i kësaj kompanie përdoret nga qindra mijëra organizata në gjithë botën, duke përfshirë koorporata të mëdha në zonat më të ndjeshme të qeverive amerikane dhe britanike.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka thënë se Mbretëria e Bashkuar nuk është e vetëdijshme për ndonjë ndikim nga hakimi mirëpo është duke kryer hetime.

Logoja e kompanisë FireEye.
Logoja e kompanisë FireEye.

FireEye, kompani e mirënjohur për siguri kibernetike është përfshirë në këtë incident, ka bërë të ditur ajo vetë përmes një postimi në blog.

Sulmi në këtë kompani nënkupton se shënjestra potenciale janë edhe qeveritë, sektorët e teknologjikë dhe kompanitë e telekomunikimeve në Amerikën Veriore, Evropë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Shumë pjesëtarë të komunitetit të sigurisë kibernetike dyshojnë se grupi hakues i lidhur me inteligjencën ruse, i njohur si APT29, apo Cozy Bear, kanë qenë mbrapa sulmit ndaj FireEye.

I njëjti grup ka qëndruar mbrapa sulmeve në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, si dhe mbrapa hakimit të serverëve të Komitetit Kombëtar të Demokratëve gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG