Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka thënë se është koha për një fillim të ri, pasi i është konfirmuar fitorja nga Kolegji Elektoral më 14 dhjetor.
Në një fjalim të mbajtur pas njoftimit për fitore, ai ka thënë se demokracia e Shteteve të Bashkuara “është testuar dhe kërcënuar”, si dhe ka rezultuar se “e merr veten shpejt, është e vërtetë dhe e fuqishme”.
Ai ka dënuar tentimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të përmbysur rezultatin dhe ka thënë se “dëshira e popullit ka triumfuar”.
Konfirmi i fitores së tij ka qenë një prej hapave të nevojshëm, ashtu që Biden të fitojë pozitën në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas sistemit amerikan, votuesit votojnë për “përfaqësuesit” e tyre, të cilët më pas zyrtarisht votojnë për kandidatët, disa javë pas zgjedhjeve.
Demokrati, Joe Biden ka fituar 306 vota elektorale për dallim nga Trump që ka fituar 232.
Presidenti Trump, që ka treguar pak shenja të humbjes, nuk ka komentuar rezultatin.
Mirëpo Biden, në anën tjetër, duke folur nga Delauer ka lavdëruar “burrat dhe gratë”, që kanë refuzuar të nënshtrohen, duke iu referuar përpjekjeve të presidentit për të përmbysur zgjedhjet, duke përfshirë beteja ligjore, të cilat janë hedhur poshtë në gjithë shtetin.
“Flaka e demokracisë në këtë komb është ndezur shumë kohë më parë”, ka thënë ai.
“Dhe ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo abuzim me pushtetin nuk mund ta shuajë atë flakë”.
Biden mes tjerash ka bërë thirrje, që ashtu sikur edhe në periudha tjera të historisë, është koha që kombi amerikan të bashkohet dhe të shërohet.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë mbajtur më 3 nëntor.
Biden nis zyrtarisht punën si president më 20 janar të vitit të ardhshëm.